Policia kontroll në banesën e mafiozit të Ndrangheta në Durrës

Durrës | 07 Maj 2018 | 14:08 | Nga

Tvklan.al ka mundur të zbardhë të tjera detaje për mafiozin shqiptar nga Durrësi, që u arrestua në Milano të Italisë.

Burime nga policia thonë se në banesën e Eduart Mecanit në Durrës janë ushtruar kontrolle intensive në kuadër të shkëmbimit të informacionit me autoritetet italiane. Pavarësisht kërkimeve të shumta, në apartamentin e tij nuk u gjet asnjë material i vlefshëm hetimor.

Gjithashtu në banesë nuk është gjetur asnjë person, për shkak se 50-vjeçari nuk rezulton të jetë i martuar. Të njëjtat burime thonë për tvklan.al se Eduart Mecani nuk ka asnjë precedent penal në vendin tonë, ndërkohë që vijojnë hetimet intensive të policisë shqiptare me policinë italiane. Sipas autoriteteve në Milano, Mecani është pjesë e mafias kalabreze “Ndrangheta”. Ai u kap mbrëmjen e së shtunës (5 Maj) në Itali, duke pritur ngarkesën me 206 kg kanabis. Droga ishte transportuar nga Barcelona (Spanjë) me një kamion të ngarkuar me materiale ndërtimi. Mjeti drejtohej nga italiani Enzo Di Mauro 48 vjeç dhe sapo mbërriti në Milano, u takua me shqiptarin Eduart Mecani. Ky i fundit nisi të shkarkonte nga kamioni pakot me kanabis dhe në momentin që po i vendoste brenda një furgoni, ndërhyri policia italiane duke i arrestuar të dy në flagrancë.

Paralelisht kërkimet e policisë italiane janë shtrirë edhe në Spanjë, për shkak se prej andej ishte nisur ngarkesa me 206 kg kanabis sativa. Hetimet janë fokusuar për të zbuluar nëse “Ndrangheta” ka lidhje me ndonjë rrjet kriminal, prej së cilës mund të ketë marrë lëndën narkotike. Po verifikohen gjithashtu lëvizjet e shqiptarit Eduart Mecani nëse ka udhëtuar drejt Shqipërisë, Spanjës apo vendeve të tjera evropiane. Burime konfidenciale thonë se 50-vjeçari Mecani ka një familjar me iniciale A.M. që jeton në Spanjë, dhe po verifikohet fakti nëse ka lidhje të dyshimta në atë shtet.

Policia italiane dyshon se në Spanjë është një rrjet droge i lidhur me mafien kalabreze në Itali. Ky rrjet merr kanabisin nga Afrika e Veriut dhe trafikohet drejt shtetit spanjoll për të mbërritur më pas në Itali, në destinacionin përfundimtar. Shqiptarit Eduart Mecanit dhe bashkëpunëtorit të tij italian Enzo Di Mauro iu gjetën dhe sekuestruan gjithashtu shuma e parave prej 63 mijë Euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme