Mbrëmë rreth orës 20:00, policia në Ferizaj ka bërë kontrollimin e autobusit që qarkullon nga ky qytet në drejtim të fshatrave Doganaj – Gremë dhe Gaçkë.
Kontrolli u bë nën dyshimin se nxënësit e shkollave të mesme të larta bartnin me vete mjete të dyshimta si thika, boksa hekuri dhe të tjera.
Sipas njoftimit të policisë, në dyshemenë e autobusit I cili ka qenë kryesisht me nxënës, janë gjetur një armë e zjarrit, dy thika dhe një boks hekuri.
“Me datën 15.10.2024 nga ora 20:00 në rrugën “ Enver Topalli”, policia e stacionit në Ferizaj ka bërë kontrollimin e autobusit që qarkullon nga Ferizaj në drejtim të fshatrave Doganaj- Greme dhe Gaçkë. Zyrtarët policor me uniformë dhe ata me rroba civile kanë kontrolluar udhëtarët, me dyshimin se nxënësit e shkollave të mesme të larta bartin me vete mjete të dyshimta, të rrezikshme, si mjete të mprehta-thika, boksa hekuri e të tjera. Gjatë kontrollimit të udhëtarëve, të cilët kanë qenë kryesisht me nxënës, në dyshemenë e autobusit janë gjetur : një armë zjarri, dy thika dhe një ‘’Box hekuri’’, të cilat nuk dihen se kujt i përkasin”, thotë policia, njofton Klankosova.tv.
Për të gjitha këto veprime është njoftuar prokurori i shtetit dhe me vendim të tij është iniciuar një rast për hetim ‘’ Mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armës’’.
“Kontrollimi i autobusëve urban do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me qëllim parandalimin dhe luftimin e dukurive negative tek nxënësit”, thotë më tej policia.