Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandës me mallra në komunën e Zubin Potokut, ku është arrestuar një person dhe janë sekuestruar një automjet dhe mallra që dyshohet se janë futur ilegalisht nga Serbia.
Sipas komunikatës së Policisë, rasti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 19 korrikut 2026, rreth orës 03:38, gjatë patrullimit në fshatin Bube.
“Gjatë patrullimit në fshatin Bube, njësitë policore kanë vërejtur disa automjete të dyshuara. Pasi nuk iu bindën urdhrave për ndalim, zyrtarët policorë kanë përdorur armën zyrtare, në përputhje me autorizimet ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia bën të ditur se, si rezultat i veprimeve të ndërmarra, është ndaluar një automjet i tipit VW Sharan dhe është arrestuar një person.
“Është arrestuar një person dhe është ndaluar një automjet VW Sharan, në të cilin janë gjetur pije alkoolike dhe joalkoolike pa dokumentacion përcjellës, të dyshuara si të kontrabanduara nga Serbia në Republikën e Kosovës. Nga incidenti nuk ka persona të lënduar”, thuhet më tej në komunikatë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente të hetimeve dhe forenzikës, ndërsa automjeti dhe mallrat janë sekuestruar si prova materiale.
“Me urdhër të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti ‘Kontrabandimi i mallrave’, ndërsa i arrestuari është ndaluar për 48 orë”, njofton Policia.