Policia e Kosovës, përkatësisht stacionet policore të Drejtorisë Rajonale në Prizren, ka vazhduar edhe gjatë kësaj jave me shqiptimin e gjobave ndaj kundërvajtësve të ndryshëm, të cilët janë raportuar nga qytetarët përmes aplikacionit “Lajmëro Policin” dhe kanaleve të tjera të komunikimit.
Sipas Policisë, numri i raportimeve për kundërvajtje në trafik mbetet i lartë, ndërsa çdo rast trajtohet me seriozitet. Autoritetet bëjnë të ditur se, në rastet kur nga të dhënat e raportuara dhe materialet e bashkëngjitura, si fotografi apo video, vërtetohet shkelja, kundërvajtësi kontaktohet përmes telefonit dhe ndaj tij shqiptohet gjoba përkatëse.
Policia njofton se pjesa më e madhe e rasteve lidhen me parkimet e parregullta, të cilat shpesh dokumentohen nga vetë qytetarët me prova vizuale.
“Raportimet për kundërvajtje në trafik janë të shumta dhe çdo rast trajtohet me seriozitet. Nëse nga raportimi, të dhënat e ofruara dhe materialet e bashkangjitura (fotografi apo video) vërtetohet shkelja, kundërvajtësi informohet përmes telefonit dhe gjoba i shqiptohet menjëherë. Shumica e rasteve kanë të bëjnë me parkime të parregullta, të cilat shpesh dokumentohen me prova vizuale nga qytetarët.
Policia fton të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut, veçanërisht gjatë parkimit, duke shmangur vendet e ndaluara ku pengohet qarkullimi i lirë i këmbësorëve dhe mjeteve.
Njëkohësisht, Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre të përbashkët në parandalimin e kundërvajtjeve dhe identifikimin e shkelësve të ligjit.”, thuhet në njoftimit të policisë.