Policia e Kosovës ka dhënë detaje për vdekjen e Avdyl Kçikut, nga Ferizaj. I ndjeri, sipas Policisë ishte gjetur afër lumit në veturën e tij me një plagë në fytyrë. Më herët, ferizajasi ishte raportuar si person i zhdukur.
Në fshatin Nerodime e Poshtme të Ferizajt, mbrëmë rreth orës 17:00, është gjetur një person pa shenja jete e me plagë në fytyrë në veturën e tij në afërsi të lumit. Më herët ferizajasi, ishte raportuar si i zhdukur nga familjarët.
Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh njofton se në veturën e viktimës është gjetur një revole, ndërsa në afërsi të veturës është gjetur një karikator.
Gjersa, në njoftim thuhet se me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.
“Një mashkull K-shqiptar është gjetur pa shenja jete me një plagë në fytyrë në veturën e tij në afërsi të lumit. Viktima ishte raportuar nga familjarët si person i zhdukur. Në veturën e viktimës është gjetur një revole, ndërsa në afërsi të veturës është gjetur një karikator. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndryshe, nga familja e të ndjerit po shihet ky rast si vrasje.
“Më së keqi është për fëmijët e xhaxhait tim”. Ata janë të moshës së mitur prej një, tre dhe pesëvjeçare. Familja e tij beson se viktima është vrarë. Me vete kishte shumë para. “Policia nuk na jep asnjë informatë”, ka përfunduar nipi.