Policia sekuestron armë, thika dhe mjete të tjera të kundërligjshme në Skenderaj

Prishtinë | 17 Kor 2026 | 09:38 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës, përkatësisht Rajoni i Mitrovicës së Jugut, ka sekuestruar armë, mjete të ftohta dhe pajisje të tjera të kundërligjshme gjatë një aksioni të zhvilluar mbrëmjen e së enjtes në zonën e Skenderajt.

Sipas njoftimit të policisë, aksioni është realizuar nga Njësia për Reagim të Shpejtë (NJRSh), me mbështetjen e njësive të tjera policore, në kuadër të aktiviteteve për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe zbatimin e masave parandaluese gjatë sezonit veror.

Gjatë kontrolleve të automjeteve në trafikun rrugor dhe të personave të dyshuar, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, tetë thika, një radiolidhje, një maskë, tri shufra metalike, si dhe gjësende të tjera për të cilat dyshohet se janë përdorur ose kanë qenë të destinuara për kryerjen e veprave penale.

Lidhur me rastet, personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor, ku janë intervistuar, ndërsa ndaj tyre janë ndërmarrë veprimet procedurale në koordinim me prokurorët kompetentë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë me kontrolle dhe aktivitete operative me qëllim të parandalimit të veprimtarive kriminale dhe garantimit të sigurisë për qytetarët.

Të ngjashme