Portali i njohur Politico.eu i ka kushtuar një raport të veçantë iniciativës së presidentit Thaçi, për transformimin e FSK-së në Ushtri.
Shkrimi nis me një përshkrim të kampit të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës në Gjilan, ku thuhet se ky është vetëm një kamp trajnimi i cili edhe pse duket si bazë ushtarake në fakt nuk është kështu, transmeton lajmi.net
“Kampi është një bazë trajnimi për Brigadën e reagimit të shpejtë të Forcës dhe Sigurisë së Kosovë. Por në javët e fundit Thaçi ka nisur iniciativën për të transformuar këtë forcë në ushtri me drejta të plota, megjithë kundërshtimin nga Serbia dhe aleatët perëndimorë të Kosovës”, nis shkrimi i kësaj gazete.
Shkrimi tregon se pas presionit të madh perëndimor Thaçi është tërhequr paksa nga kjo iniciativë, e cila ka nxitur tensione mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve, e gjithashtu edhe mund të ndikojë në raportet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë.
“Tani për tani 4.500 trupa të NATO-s janë e vetmja forcë ushtarake në Kosovë, një trashëgimi e fushatës së aleancës në bombardimet e vitit 1999 për t’i dhënë fund represionit serb ndaj shqiptarëve. Thaçi thotë se është koha që vendi i 1.8 milionë njerëzve të ketë ushtrinë e vet, 9 vite pas pavarësimit nga Serbia”, bëhet e ditur në këtë shkrim.
Politico hedh në pah edhe një hipotezë tjetër. Aty citohen analistë, sipas të cilëve Thaçi po tenton ta përdorë krijimin e Ushtrisë për ta mbështetur Partinë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme. Edhe pse presidenti ka thënë dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së.
“Masa e Thaçit vjen në një kohë të ngritjes së tensioneve në Ballkan sidomos në mes të Serbisë dhe Kosovës që aspiron të anëtarësohet në BE. Tensionet u ndezën në janar, pasi Beogradi dërgoi një tren në Mitrovicë me mbishkrimin ‘Kosova është Serbi’ në rreth 20 gjuhë. Treni u ndal para arritjes në kufi, por incidenti nxiti zyrtarët të përdorin një retorikë të ashpër. Arrestimi në janar i Ramush Haradinajt pas një urdhri nga Beogradi ka ushqyer gjithashtu shumë zemërim. Dhe një gjykatë e re që pritet të gjykojë krimet e luftës gjoja të kryera nga forcat guerile, gjithashtu pritet të nxjerrë paditë në qershor dhe ka shfaqur paknaqësi. Edhe udhëheqësit e BE-së e përshkruan situatën në rajon si të tensionuar” ka shkruar Politico.eu
Në shkrim theksohet mos-përkrahja e kësaj iniciative nga aleatët perëndimorë të Kosovës. Përmendet reagimi i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg i cila tha se NATO do ta shqyrtojë angazhimin e saj në Kosovë pas kësaj iniciative. Gjithashtu reagimet kanë ardhur edhe nga vendet e Evropës perëndimore.
“Thaçi ka propozuar këtë projekt-ligj në mënyrë efektive duke mohuar pakicave etnike të drejtën e vetos. Ai kishte planifikuar të ndryshojë ligjin e FSK-së për ta ndryshuar mandatin e saj nga një forcë civile në atë ushtarake. Ai madje kërcënoi se do të jap dorëheqje nëse parlamenti nuk e voton këtë çështje, duke thënë se i gjithë vendi janë pro kësaj çështje”, vazhdon shkrimi në këtë medium, transmeton lajmi.net
‘Politico’ pretendon se arsye për tërheqjen e Thaçit nga kjo çështje është vizita e ndihmës sekretarit amerikan, Hoyt Brian-Yee i cili ka thënë se ushtria duhet të krijohet vetëm me ndryshimet në kushtetutë.
Edhe reagimi i serbëve ka qenë i pashmangshëm, të cilët pretendojnë se ky vendim është kërcënim për serbët e Kosovës, duke e cituar Nenad Rashiqin i cili ka thënë se serbëve ju duhet kohë për të shëruar plagët e luftës.
“Analistët thonë se Thaçi është duke synuar krijimin e ushtrisë për të rritur popullaritetin e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilën e drejtoi deri sa të bëhet president pas një koalicioni me LDK-në. Çështja e ushtrisë mund të ndikojë në krijimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, e që mund të ngjajë që PDK të rris numrin e deputetëev, kurse LDK të dështojë”, citon Politico.
“Duke pasur parasysh mjedisin politik në Kosovë mund të ketë dyshime se e gjitha biseda për ushtrinë është një akt i presidentit, i cili dëshiron vëmendje dhe dëshiron të dërgojë partinë që ai e kontrollon në triumf në zgjedhjet e ardhshme”, është shprehur Lumir Abdixhiku.
“Ju duhet të kaloni nëpër shumë faza deri te krijimi i Ushtrisë, që ajo të jetë e dobishme dhe të përdoret ashtu si duhet” ka thënë Aidan Hehir, një profesor në marrëdhëneit ndërkombëtare në Universitetin Ëestminster, duke shtuar se nisma për ushtrinë është një formë e teatrit politik.
Besnik Selimi, kapiteni i Forcave të Sigurisë së Kosovës B.R.SH Gjilan Bataljoni i ka deklaruar se është i gatshëm për krijimin e një ushtrie pasi ka ndjekur trajnime në Danimarkë, Maqedon, SHBA dhe një kurs në Varshavë.
“Unë vetëm dua të shërbej për vendin tim në çfarë do misioni jam i gatshëm ta përmbushë”, është shprehur Selimi.
Shkrimi I ‘Politico’ është realizuar nga Valerie Hopkins në qytetin e Gjilanit.