Politika e jashtme e Kosovës duhet të jetë më aktive për njohje, anëtarësime në organizata e forcimin e shtetësisë

Prishtinë | 18 Dhj 2022 | 08:16 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova nuk ka pasur njohje të reja qe gati dy vjet nga njohja nga shteti i Izraelit, madje vendi qe një kohë të gjatë nuk ka pasur edhe anëtarësime në organizatat ndërkombëtare.

Sipas ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare gjithë ky stagnim është duke ardhur nga mospuna dhe nga mos bashkëpunimi i duhur ndërmjet Qeverisë së Kosovës me vendet aleate.

Analisti Shqiprim Pula tha se institucionet përgjegjëse do të duhet të ishte me aktive në politikën e jashtme.

“Politika e jashtme e Kosovës natyrisht që do të duhej të ishte më aktive fakti se jemi në procese të ndryshme, qoftë në aplikime për anëtarësime në organizata ndërkombëtare, qoftë në pjesën ku duhet të kemi njohje të reja të shtetit të Kosovë, prandaj politika e jashtme e Kosovës, institucionet përgjegjëse në këtë rast do të duhej të jenë shumë më të vrullshme në diplomacinë institucionale dhe duhet të ketë diplomaci parlamentare, ekonomike që të forcohet shtetësia e Kosovës”.

Sipas tij, më qenë se Qeveria e Kosovës ka një stabilitet numrash do të duhej që të kishte rezultate më të mëdha dhe profitabile për vendin. 

“Nuk duhet harruar që viteve të fundit kemi pasur ndërrime të shpeshta të qeverive dhe ky ndërrim ka krijuar një situatë që nuk ka pasur një konsistencë të mirëfillte të politikë bërjes dhe ekzekutimit të atyre politikave. Prandaj nga kjo qeveri më qenë se ka një stabilitet numrash do të duhej që të priten rezultate më të mëdha dhe më profitabile për Kosovën”. 

E njohësi i çështjeve politike, Fidan Ukaj, tha për EO se gjithë kjo gjendje është rezultat i mospasjes së raporteve të mira me shtet aleate të vendit.

“Ka një kohë të gjatë që nuk kemi pasur njohje për shtetin e Kosovës, njohja e fundit ka qenë nga Izraeli. Tash e një kohë nuk kemi njohje të reja dhe mendoj që kjo është si rezultat i mos raporteve shumë të mirë ose të afërta të qeverisjes në Kosovë me aleatët tanë strategjikë dhe kundërshtimet e vazhdueshme që kemi pasur përkundër presionit pozitiv nga aleatët tanë, qoftë për shtyrje të implementimit të marrëveshjeve të caktuara për një kohë të caktuar, apo së fundi edhe për zgjedhjet, kanë ndikuar që të mos kemi një koordinim që të kemi njohje të reja apo edhe anëtarësim në mekanizma shumë të rëndësishëm ndërkombëtarë”. 

 Ukaj theksoi se për shkak të kryeneçësi si nga ana e presidentes Vjosa Osmani e po ashtu edhe kryeministrit Albin Kurti që të mos bashkëpunojnë me aleatët ka pasur stagnim në çdo sektorë.

 “Është një kryeneçësi qoftë e kryeministrit, qoftë e presidentes që të mos bashkudhëtoj me aleatët tanë shumë të rëndësishëm strategjikë siç janë ShBA-ja, Gjermania dhe të tjerët dhe kjo ka ndikuar që të mos shkojmë përpara shumë që të kemi anëtarësim të reja në organizata shumë të rëndësishme ndërkombëtare ose edhe njohje të reja. Kemi pasur një stagnim për arsye së qoftë kryeministri, qoftë presidentja nuk kanë qenë shumë bashkëpunues ose afrues qoftë me ShBA ose aleatët e tjerë evropian dhe kjo ka ndikuar që të kemi këtë stagnim qoftë në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare por edhe në njohje të reja”, tha ai.

Të ngjashme