Politika e jashtme në shtetformimin e Kosovës

Prishtinë | 02 Shk 2017 | 17:07 | Nga Besnik Mustafaj

Janë të gjitha arsyet për ta pritur me kureshtje të madhe librin e Enver Hoxhajt, “Ngritja e një shteti”, dhe me nëntitull “Politika e jashtme e Kosovës” (Botimet “Dudaj”, Tiranë 2016). Në historinë e një kombi janë tepër të rrallë brezat, të cilëve u takon fati të jenë bashkëkohës me lindjen e shtetit të tyre. Brezi i Enver Hoxhajt në Kosovë e pati këtë fat.

Dhe akoma më të rrallë janë individët, të cilëve fati u takon të bëhen pjesëtarë të ekipit të ngarkuar nga populli me votën e tij të lirë për ngritjen e shtetit të ri. Enver Hoxhaj është njëri prej tyre, në fillim si deputet në Kuvendin e Kosovës e mandej si ministër i Punëve të Jashtme, me mandate të përsëritura.

Në dijeninë time, ky është i pari libër i këtij lloji i shkruar nga njëri prej protagonistëve shtetformues në Kosovën e pavarur e ku shpjegohen konceptet teorike dhe praktike, mbi të cilat është ndërtuar puna, që ai vetë ka marrë përsipër në këtë proces e që është udhëheqja institucionale e politikës së jashtme të shtetit të ri dhe ngritja e një trupi diplomatik të përshtatshëm dhe të aftë për ta zbatuar këtë politikë.

Jo thjesht për modesti, por për hir të së vërtetës, autori e pohon me ndershmëri në tekst se përcaktimi i një politike të jashtme funksionale dhe zbatimi i saj me efikasitet në shërbim të qëllimeve dhe të nevojave të shtetit të porsalindur ka qenë dhe mbetet një punë që e tejkalon dukshëm misionin kushtetues të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Por kjo Ministri, me personelin diplomatik dhe drejtuesit politikë, megjithatë mbetet shtylla kryesore.

Do të thosha se ky ka qenë një libër i vështirë për t’u shkruar. Jo vetëm pse politika e jashtme dhe diplomacia ishin fenomene themelisht të reja në jetën institucionale të Kosovës. Në këtë fushë nuk ekzistonte asnjë traditë, qoftë edhe e keqe e që duhej mohuar, nga regjimet e mëparshme, që kishte kaluar vendi.

Politika e jashtme, pra, duhej nxjerrë nga hiçi dhe për më tepër me urgjencë dhe në një kontekst zhvillimesh e nevojash të vrullshme, të cilat e bënin atë të rëndësisë së parë për t’i dhënë jetësim shtetit të ri në sistemin ndërkombëtar, një sistem i pamëshirshëm, siç pohon autori. Jo vetëm pse në formulimin, ashtu si edhe në zbatimin e politikës së jashtme, klasa përfaqësuese politike e Kosovës nuk ishte plotësisht sovrane.

Në respektim të rekomandimeve të Ahtisarit, shteti i ri i Kosovës së pavarur ishte qysh në themelim e në vazhdim për disa vjet “i mbikëqyrur” nga komuniteti ndërkombëtar. Autori nuk merr përsipër në librin e tij të japë ndonjë gjykim nëse kjo “mbikëqyrje” ishte e dobishme apo e dëmshme në procesin e ngritjes së këtij shteti.

Por ai pohon se “mbikëqyrësit” kishin ndikim të drejtpërdrejtë, në njëfarë mënyre vendimor, edhe në hartimin e politikës së jashtme, edhe në zbatimin e saj. Jo vetëm pse Presidenca e Republikës, Qeveria, Parlamenti, agjencitë shtetërore të sigurisë, pjesëmarrëse në hartimin, miratimin e sidomos zbatimin e platformave të politikës së jashtme ishin po ashtu pa përvojë në këtë fushë, që është gjithmonë specifike për një shtet, aq më tepër në procesin e ndërlikuar të shtet-formimit të një republike të porsalindur.

Enver Hoxhaj është një profesor i konfirmuar në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai duket, po ashtu, një burrë me kulturë të gjerë dhe me pasion të qëndrueshëm për dijen.

Ai, pra, gjatë shkrimit të librit, do të kishte qenë me siguri i aftë t’i kapërcente të gjitha vështirësitë e përmendura më sipër dhe plot të tjera të këtij lloji. Por kishte një vështirësi që nuk buron nga përmbajtja, e për të cilën ai është kthjelltësisht i vetëdijshëm se nuk duhej ta kapërcente.

Ai ishte gjatë periudhës së shkrimit të librit në funksionin e Ministrit të Punëve të Jashtme dhe vazhdon të jetë në këtë funksion edhe tani, që libri ka ardhur te lexuesit. Kjo parakupton detyrimin e tij për ta kafshuar gjuhën përkitazi me përshkrimin e kuzhinës, ku gatuhej e vazhdon të gatuhet ditë pas dite politika e jashtme e Republikës së Kosovës. Përndryshe, siç e kuptoj unë, botimi i librit do t’ia ndërlikonte pikërisht kryerjen e detyrës që mban, duke shkaktuar një ndikim krejt të kundërt me qëllimin për të cilin është shkruar.

Rrjedhimisht, Enver Hoxhaj, qysh në zanafillë të librit, kësaj here ka shmangur me vullnet të qartë dimensionin e kujtimeve, të cilat me konkretësinë e tyre do ta bënin narracionin doemos më të këndshëm, duke tërhequr publikun e gjerë dhe do ta paraqisnin përvojën e krijuar tashmë nga shteti i ri në një morfologji më të kapshme edhe për një lexues pa lidhje profesionale me marrëdhëniet ndërkombëtare apo me diplomacinë.

Po ashtu, gjatë shkrimit të librit, gjithnjë për të njëjtën arsye, autori ka shmangur edhe vështrimet kritike apo vetëkritike mbi rezultatet e arritura gjatë rrugës, pikërisht vështrimet kritike dhe vetëkritike do të kishin qenë veçanërisht të rëndësishme për të shpërfaqur fuqinë e tij analitike dhe sintetizuese si autor.

Për fat, ai është ende i ri dhe do të ketë kohë ta bëjë një shërbim të tillë për brezat e ardhshëm, pasi të jetë çliruar nga “zgjedha” e ministrit. Unë e kam këtë besim tek ai. Për më tepër, profesori dhe diplomati kanë të përbashkët një ves: mbajtjen e shënimeve dhe ruajtjen e tyre.

Edhe brenda këtyre kufizimeve të natyrshme, kufizime këto që shkojnë përkundër egos së profesor Enver Hoxhajt, por që pranohen me vetëdije të ftohtë krejt si një marrëveshje pragmatike diplomatike nga ministri Enver Hoxhaj, edhe brenda këtyre kufizimeve pra, autori përmbush me cilësi synimet e tij për të na argumentuar përse në rrethanat specifike historike dhe gjeopolitike, politika e jashtme ishte dhe mbetet një nga themelet mbajtëse të shtetit të ri të Republikës së Kosovës.

Gjithnjë në përshtatje me këto rrethana historike dhe gjeopolitike specifike, autori tregon me referenca mbi çfarë parimesh teorike dhe metodologjike u mbështet zanafillisht hartimi i kësaj politike dhe po mbështet në vazhdim zbatimi i saj, si dhe cilat kanë qenë në dinamikë gjatë këtyre afro dhjetë vjetëve prioritetet e politikës së jashtme dhe të diplomacisë kosovare. Ai dëshmon se të paktën në këtë fushë, asgjë nuk ka qenë spontane, sporadike apo konfuze.

Parë në këtë dritë, ky libër është dhe do të mbetet një dokument i rëndësishëm për ata që do të studiojnë në të ardhmen e afërt apo të largme procesin shtetformues të Kosovës. Është tjetër gjë çështja se sa të drejtë do t’u japë nesër Historia protagonistëve të sotëm, qoftë për parimet që zgjodhën në përcaktimin e kësaj politike të jashtme, qoftë për metodën që përdorën në zbatimin e saj, e qoftë për prioritetet që ata i përcaktuan kësaj politike. Sot për sot, Enver Hoxhaj me librin e tij dëshiron të na thotë se këta protagonistë u përpoqën me të gjitha aftësitë e tyre të bëjnë më të mirën për vendin.

Në sajë të bagazhit si profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hoxhaj arrin në librin e tij ta vendosë me zhdërvjelltësi politikën e jashtme të Kosovës në suazën e teorive më serioze të pranuara në këtë fushë. Kjo sepse ai është i bindur se “një mendim filozofik si mishërim i saj është i domosdoshëm, meqë pa të politika e jashtme e Kosovës do të ishte e papërcaktuar dhe e shkujdesur.

” Për arsye se fati i Kosovës si vend dhe si shoqëri është formësuar nga liberalizimi i ringjallur pas Luftës së Ftohtë, thotë autori, mendimi filozofik i mishëruar në politikën e saj të jashtme buron nga doktrina liberale. Por diplomacia për zbatimin e kësaj politike “ndërtohet në parimet e Real-politikës”.

Realizmi ndihmon për të kuptuar se normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë është një proces ku “duhet të ruhen interesat vitale, edhe pse dialogu është instrument i rëndësishëm politik”. Po sipas këtyre parimeve përligjet plotësisht nevoja për partneritet me SHBA-të, me disa vende kryesore europiane, si dhe anëtarësimi në NATO dhe BE.

Në veprimtarinë e saj, diplomacia kosovare mbështetet në konceptin e “fuqisë së zgjuar”, koncept ky që ndërthur “fuqinë e fortë me fuqinë e butë” në përputhje me përkufizimin, që Nye i ka bërë kohët e fundit e të cilin Hillary Clinton, siç Enver Hoxhaj citon, e ka promovuar posaçërisht gjatë periudhës kur ishte Sekretare e Shtetit.

Solla këtu vetëm dy-tre shembuj për të treguar stilin, në të cilin është shkruar libri, ku bie në sy kujdesi i madh nga ana e autorit për të shmangur shprehjen e pikëpamjeve personale, të cilat mund të ngjallin vetvetiu edhe polemika e ku tregohet një kujdes po aq i madh nga ana e tij për të ngulitur në mendjen e lexuesit si një të vërtetë të pandryshueshme se politika e jashtme ka shërbyer fuqimisht për ngritjen e shtetit të ri të Kosovës qysh në themelet e tij e se kjo politikë e jashtme nuk ka rënë pre e ambicieve për pushtet të njërit apo të tjetrit politikan në Prishtinë, por është strukturuar qysh në fillim në përshtatje me teoritë më të përparuara, si një sistem koherent vlerash për-bashkuese me botën perëndimore, sistem ky i aftë për t’iu përgjigjur nevojave imediate dhe perspektive të Kosovës së pavarur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme