Na ka ra të gjithëve, sepse të gjithë ne sëmuremi, ashtu si dhe më të afërmit tonë, që në atë ballafaqimin me mjekun, pos tjerash, ta kuptojmë dallimin shumë të rëndësishëm në mes të sëmundjes akute dhe asaj kronike.
Kjo e para, sëmundja akute pra, shfaqet befasishëm, ka simptome shpërthyese, por ajo zgjatë shkurt dhe kërkon një trajtim imediat të mjekut.
Sidoqoftë, me terapinë e duhur të mjekut shërimi nuk vonon.
Kjo e dyta, sëmundja kronike, zhvillohet ngadalë, është e gjatë, jo rrallë të përcjell pastaj gjatë gjithë jetës, simptomat i ka të ndryshueshme dhe afatgjate, teksa terapia është e përhershme.
Pra, kjo sëmundje mund të jetë e përjetshme, por zakonisht nuk vdiset vetëm prej saj. Duhen edhe ‘faktorë’ të tjerë ndërlikues që i dhënë fund jetës së një njeriu.
Nëse këtu prej mjekësisë bartemi në politikën kosovare, ta merr mendja që gjendja në skenën politike vendore është diku në mes të akutës dhe kronikes.
Fillimisht, në verën e vitit të kaluar, kur u shfaqën ’simptomet’e para të një ngecjeje evidente politike në ndërmarrjen e krijimit të pushtetit qendror (së pari, me mungesën e votave për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit), pas zgjedhjeve të muajit shkurt të vitit të kaluar, u llogarit që megjithatë nuk ka krizë të mirëfilltë politike, apo, që nuk do të vonojë dhe do të arrihet disi pajtimi parlamentar për ta votuar të Parin/ të Paren e Kuvendit të Kosovës.
Kështu edhe ndodhi.
Por më pas u shfaq një tjetër ’gjendje akute’, kur nuk u sigurua shumica parlamentare për Qeverinë e re.
Në kërkim të adresimit të saj, skena politike e vendit u dërgua e tëra në ’Qendrën emergjente’, apo në zgjedhjet e reja, kësaj here të parakoshme parlamentare, të cilat u mbajtën në të dielen e fundit të dhjetorit.
Kur pas rezultateve të saj u duk që skena politike e vendit ka marrë ’Rrugën e shërimit’ (sepse rezultatet e saj ishin më të qarta se ato të mëparmet), u kuptua që kjo politikë është ’recidiviste’, apo që sërish po përballemi me thuaja të njëjtat ’simptome’ si muaj më parë, dhe që në trajtimin e tyre, do të duhej aplikuar të njëjtën ’terapi’, apo zgjedhjet e sërishme parlamentare.
Ky është një tregim i njohur për të gjithë ne, pa marrë parasysh risitë (eventuale) në kallëzimin e tij.
Epilogu i tij mbetet i njëjtë.
Tani, këtu në këtë kontekstin e verës së këtij viti, shquan atë dilemën mjekësore/ politike, se a kemi të bëjmë me një tjetër sprovë akute, apo që tash rrezikojmë të hyjmë në një ’sëmundje’/ gjendje kronike, kur normaliteti i ri politik, me zgjedhje të vazhdueshme parlamentare, do ta zë vendin e atij normaliteti të përparshëm që njeh pushtet të qëndrueshëm dhe zgjedhje të rralla parlamentare.
Këtë normalitet ne e kemi zaten: Në pushtetet dhe zgjedhjet lokale.
Seanca e parë konstitutive e legjislaturës së njëmbëdhjetë të demokracisë së Kosovës është caktuar tashmë për 6 gusht.
Në ndërkohë, duket që kësaj here, për dallim prej dy situatave të mëparme paszgjedhore, situata është shumë më e qartë se çka mund të bëhet në mënyrë për ta shmangur atë ’Qendrën emergjente’ në trajtë të votimeve të reja.
PDK ka vendosur të qëndrojë në opozitë, Aleanca ka artikuluar kushtet për të votuar institucionet e pushtetit qendror (gjashtë prej tyre), LDK, pas Kuvendit të para disa dite, kur Lumir Abdixhiku mbeti Kryetar i saj, do t’i kthehet bisedimeve me Kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, për ta siguruar një dakordancë politike e cila do të garantonte, poqëse do të jetësohet, një pushtet stabil qendror, i cili madje do të mund ta kalonte mandatin e vet të plotë.
Qartësia e kësaj situate ofron ’terapi’ të shpejtë që të nisë këndellja e skenës politike kosovare. Ky është lajm i mirë. Kjo do të thotë që për pak ditë apo javë, do ta marrim vesh se a do t’i shpëtojmë zgjedhjeve të reja parlamentare. Të cilat, ndryshe, nuk mund të sjellin gjë të re.