Politikat redaktoriale, shkaku i dezinformatave në medie

Prishtinë | 09 Qer 2021 | 17:10 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Televizionet dhe radiot qëndrojnë më mirë se sa portalet sa i përket shpërndarjes së dezinformatave, raporton Ekonomia Online.

Kështu u tha në konferencën me temën: “Rritja e Dezinformimit në Demokracinë Digjitale” e organizuar nga NDI dhe USAID.

Luan Latifi, shef Ekzekutiv i Komisionit të Pavarur për Medie (KPM) në kuadër të këtij diskutimi tha se në portale është më e vështirë për t’i verifikuar lajmet.

“Më duhet ta theksoj se në bazë të raportit të prezantuar, televizionet e radiot qëndrojnë shumë më mirë në aspektin e raportimit, por gjatë monitorimit tonë nuk kemi parë ndonjë shkelje, për dallim nga portalet ku mundësia për të verifikuar lajmet është shumë më e vështirë”, tha Latifi.

Në anën tjetër, Imer Mushkolaj  tha se KPM-ja i  rishikon vazhdimisht ankesat.

“Duhet të dimë që jo gjithçka që konsiderohen adresa online janë medie, dhe ne nuk e dimë se kush qëndron mbrapa saj, duhet bërë dallimi se çka është medie e çka jo. mediet online dhe të shkruara duhet monitoruar dhe rishikuar ankesat”, tha ai.

Gentiana Begolli, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se për “fakenews” nuk është faji i gazetarëve por i politikave redaktoriale.

“Kur flasim për “fakenews” e kemi problem ta definojmë se te kush është faji, sa i përket gazetarëve, dhe sidomos gjatë kohës së pandemisë ka pasur pak raste të fakenews, për dallim të fushatave zgjedhore dhe kjo nuk do të thotë që gazetarët nuk dinë ta bëjnë punën, por pak varet edhe nga interesat redaksiale apo politikat redaktoriale”, theksoi Begolli.

Kreshnik Gashi, nga BIRN potencoi se tashmë qytetarët kanë nisur të vetëdijesohen për mediet online dhe burim kryesor e kanë televizionet.

“Qytetarët kanë nisur të vetëdijesohen nga mediet online dhe burim kryesor tashmë e kanë televizionet, dhe të dihet se çka quajmë e vërteta dhe faktet. Kemi probleme shumë të mëdha që nga argumentet dhe injorimi i fakteve e që shkohet deri tek dezinformimi”, tha ai.

Në fjalën përmbyllëse për ditën e parë të konferencës, Nancy Soderberg, Drejtore e lartë Rezidente në NDI Kosova,  tha se gjatë ditës nga panelistët u theksua se ka një rritje të dezinformatave të cilat atakojnë demokracinë.

Të ngjashme