​Qeveria nis procedurat për programin me MCC mbi projektin e gazsjellësit

Prishtinë | 23 Mar 2022 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës sot ka shqyrtuar nismën e Ministrisë së Financave për negocimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit në mes Kosovës dhe SHBA-së, të përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit për projektin “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit”, përmes të cilës kanë nisur procedurat për marrjen e grantit nga MCC në vlerë 200 milionë euro për investime në sektorin e energjisë.

Ministri i Financave Hekuran Murati tha se pas të gjitha polemikave rreth projektit, sot po e paraqet nismën për përfitimin prej 200 milionë eurosh për sigurim të qëndrueshëm në energji.

“Pas polemikave dhe gjithë atyre fjalëve se do të bëhet apo jo, ose se kanë humbur apo nuk kanë humbur fondet paraqes para jush kërkesën për miratim të nismës për programin kompakt me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit apo MCC pra bëhet fjalë për projektin e bashkëfinancimit nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e SHBA-së… Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka mbështetur dhe ka punuar ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, e cila ka qenë bartëse e diskutimeve për të siguruara bashkëpunim për një program që është bashkëfinancim për një program që kap shumën mbi 200 milionë euro e që për Kosovën kjo shënon 2.5% të GDP-së… Prioritet kryesor i kësaj marrëveshjeje është sigurimi i qëndrueshmërisë së sektorit energjetik duke siguruar rezerva”, tha ai.

Detaje rreth programit të kompaktit për gazsjellësin dha edhe ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari e cila tha se po shënojnë kthesë në ndërtimin e një infrastrukture të sistemit energjetik që mundëson zhvillim ekonomik.

Ndërsa, theksoi se përmes këtij programi me MCC për 15 vjetët e ardhshëm do të sigurojë balancë të qëndrueshëm për KOSST-in.

Rizvanolli tha se marrëveshje me MCC për gazsjellësin deri në fund të shtatorit duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës për shkak të krizës energjetike.

“Kompakti që po iniciojmë me këtë marrëveshje sot do të krijojë kapacitete që do t’i mundësojë KOSTT-it të sigurojë balancën e sistemit në mënyrë automatike dhe manuale për së paku 15 vjet. Kapacitetet e rezervave do të varen nga negociatat përfundimtare që pritet të mbahen në maj 2022, mirëpo ajo që mund t’ju siguroj është se kapaciteti do të jetë më shumë se 150 megavat dhe do të sigurohen më shumë se 200 megavat orë rezervë… Unë do të jem e gatshme të takohem me të gjitha palët që të sigurojmë që ky program kompakt të kalojë para datës 30 shtator në Kuvend, në kohën kur bota është e përfshirë në krizën energjetike që po rëndohet nga lufta në Ukrainë dhe ne duhet të jemi vigjilentë dhe të sigurohemi që e kalojmë sa më parë këtë program që ndihmon në pavarësimin e sistemit tonë energjetik dhe transformimin energjetik të Kosovës”, tha ajo.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka informuar kabinetin qeveritar për zbatimin e Programit për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit gjatë vitit 2021, për çka tha se niveli i përgjithshëm i zbatimit të masave deri më tani është 51.43% apo 126 nga 245 prej masave të parapara.

Ndërsa, lidhur me zbatimin e planit të veprimit për zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane, Bislimi tha se deri në fund të vitit 2021 janë zbatuar 79 nga 321 reforma, janë në zbatim e sipër 108 reforma, ka vonesa në 105 sosh dhe në 49 pritet të fillojë zbatimi i tyre. Ai tha se në rrafshin legjislativ janë 14 reforma të zbatuara nga gjithsej 87.

Qeveria e Kosovës sot ka emëruar edhe anëtarët dhe zëvendës-anëtarët e Komisionit për Kontrollin e Tregtisë dhe Mallrave Strategjike dhe emërimin e Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Arsyetimin për këtë e ka dhënë ministrja e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Rozeta Hajdari, e cila tha se emërimi i anëtarëve të këtij Këshilli i japin shtytje substanciale fushës së mbrojtjes së konsumatorit.

“Ne konsiderojmë se struktura aktuale e Këshillit duhet të ndryshojë me arsyetimin si në vijim: përfaqësimi në këshill të jetë pothuajse gjithëpërfshirës në të cilin do të përfaqësoheshin të gjitha institucionet dhe akterët që merren me mbrojtjen e konsumatorit, mos prezencës pa arsyetim për muaj me radhë nga disa prej anëtarëve të Këshillit, mosdhënies së kurrfarë kontributi në punën e Këshillit sikurse rekomandim apo programin për mbrojtjen e konsumatorit apo edhe institucioneve ndonjë aktivitet apo çka do tjetër që ata përfaqësojnë me vite me radhë. Shpërfillja apo mos respektimi i rregullave dhe normave profesionale dhe etike nga disa përfaqësues nga Këshilli”, theksoi ajo.

Qeveria po sot miratoi edhe propozim-vendimin për të kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani dhënien e autorizimit për Ministrinë e Financave për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin Korniza e Qyteteve të Gjelbra 2- Eficienca e Energjisë në ndërtesa publike të Prishtinë.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes për ekstradim ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Kroacisë.

Të ngjashme