Ambasadori Kosnett viziton Kurtin, kërkon formimin e shpejtë të institucioneve dhe fillimin e adresimit të “sfidave të ngutshme”

Prishtinë | 16 Shk 2021 | 09:47 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

(E plotësuar) Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett,  ka vizituar sot selinë e Vetëvendosjes, ku ka takuar Albin Kurtin, i cili doli fitues në zgjedhjet e së martës, raporton Ekonomia Online.

Temë e diskutimit pashmangshëm ka qenë procesi zgjedhor dhe formimi i institucioneve të reja.

Kosnett nuk është përgjigjur në interesimin e Ekonomia Online lidhur me temën e diskutimit.

Por, në një postim në Twitter, ai ka treguar se e ka përgëzuar Kurtin për fitoren dhe ka kërkuar krijimin e shpejtë të institucioneve të reja, dhe fillimin e adresimit të “sfidave të ngutshme”.

“Jam i kënaqur që u takova me Albin Kurtin për të përgëzuar Lëvizjen VETËVENDOSJE! për fitoren dhe për të diskutuar rrugën e Kosovës përpara”.

“Kërkojmë nga partitë të punojnë shpejt për të krijuar Qeverinë dhe Kuvendin për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve dhe për të adresuar sfidat e ngutshme”, ka theksuar Kosnett.

Ndërkohë, VV nëpërmes një komunikate, ka falënderuar ambasadorin amerikan për vizitën dhe paralajmëroi se shumë shpejt Kosova do të ketë qeverinë e re.

“Ambasadori, z. Kosnett, uroi kryetarin Kurti për fitoren në këto zgjedhje duke i dëshiruar sukses të mëtejmë. Ai uroi që nga ky proces sa më parë të kemi një qeveri e parlament funksional. Kryetari Kurti e falënderoi për urimin dhe vizitën, dhe ndau bindjen që shumë shpejt do ta kemi qeverinë e re, dhe mundësinë për të bashkëpunuar për projekte konkrete që ndihmojnë shtetndërtimin demokratik, zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve tona”, thuhet në komunikatën për medie.

Të dielën, më 14 shkurt në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje shënoi fitore të thellë.

Rifillimi i shpejtë i dialogut me Serbinë është një kërkesë e qartë që është bërë nga ShBA-ja, por edhe shtetet kryesore të BE-së.

Por, lideri i VV-së gjatë fushatës zgjedhore ka thënë se kjo çështje nuk është prioritet.

Një çështje tjetër që mund të përplasë VV-në me Shtetet e Bashkuara është paralajmërimi për mosrespektimin e Marrëveshjes së Washingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Anëtarja e Kryesisë së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, deklaroi një ditë më parë, se Qeveria e ardhshme me Kurtin në krye, nuk do të shtyjë përpara pikat e zotimeve të firmosura në Washington nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

Të ngjashme