Apostolova: Vetingu nuk duhet të përdoret si mjet për spastrimin e anëtarëve të qeverive të kaluara

Prishtinë | 23 Kor 2020 | 21:05 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, ka folur edhe për procesin e vettingut.

Ajo ka thënë se ky proces nuk duhet të përdoret si mjet politik që një përbërje qeveritare të spastrojë anëtarë të qeverive të mëparshme apo prej shërbyesve të mëparshëm civilë.

Sipas saj, vettingu si i tillë mund të jetë mjet shumë i rëndësishëm, por duhet ndërmarrë me kujdes të madh, duke shtuar se i njëjti duhet të bazohet mbi standarde të krijuara prej organizatave të specializuara.

“Një shembull: Këshilli i Evropës. Vettingu nuk duhet të përdoret si mjet politik që një përbërje qeveritare të spastrojë anëtarë të qeverive të mëparshme apo prej shërbyesve të mëparshëm civilë. Prandaj, vettingu duhet të kryhet, vettingu është kryer në Kosovë, është bërë prej nesh shumë kohë më parë. Gjyqësori disi iu nënshtrua procesit të vettingut. Tani, nëse duhet të kryejmë një vetting të ri, do ta këshilloja për kujdes ministrin e Drejtësisë. Ia kam thënë Albulena Haxhiut kur ishte ministre e Drejtësisë, po ia them edhe Selim Selimit tani: duhet të mendohet me shumë kujdes se mbi çfarë standardesh do të bazohet ky proces, por njëkohësisht nevojitet transparencë dhe besim. Në të kundërtën, do t’i jepet një porosi e tmerrshme qytetarëve të Kosovës, që edhe tani janë skepticizëm rreth mënyrës transparente në të cilën funksionon gjyqësori”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se në këtë proces ka raste në të cilat ka arsye për skepticizëm

“Për shembull, e dini se sa raste u bartën nga EULEX-i te gjyqësori në Kosovë dhe u grumbulluan duke mos u procesuar për shumë vjet. Pra, nëse je qytetar në Kosovë dhe do që t’i garantosh të drejtat e tua, duhet të jesh i vetëdijshëm që nëse paraqet një rast gjyqësor nuk do ta dish fundin. Kjo është e frikshme. Nëse je qytetar i zakonshëm i Kosovës, sistemin e drejtësisë e sheh si shembull të përkryer të shtetit të kapur, të cilin BE-ja e ka përmendur në raportet e veta”, ka thënë ajo.

Të ngjashme