Arben Vitia flet për mundësinë e kthimit në MSH: Planet i kam të tjera

Prishtinë | 06 Tet 2022 | 17:41 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili e kishte lënë këtë detyrë që të kandidonte për kryetar të Prishtinës, ka mohur mundësinë e rikthimit në MSh.

Pas dorëheqjes së Rifat Latifit, ishte përmendur si emër potencial Vitia, i cili nga Vetëvendosjes çmohej si ministri më i suksesshëm që e kishte menaxhuar “më së miri në botë” pandeminë. Por, njohës të rrethanave politike kanë ngritur mëdyshje se Kurti e “ka djegur” Vitinë, dhe se nuk i ka ndihmuar ta fitojë garën në Prishtinë.

Paparaci ka kontaktuar me Arben Vitinë, për ta pyetur nëse do të jetë ai personi që do të ulet në kolltukun e tij të dikurshëm.

Ai mohoi se do të jetë ministër i Shëndetësisë teksa nuk kishte informacione se Latifi është dorëhequr.

Nëpërmes telefonit, ish-kandidati për kryetar të Prishtinës theksoi se ka plane të tjera sa i përket jetës politike dhe personale.

“Planet i kam të tjera. Jam në një takim dhe tani po merrem me diçka tjetër”, tha Vitia, i cili mban pozitën e kryetarit të LVV-së në Prishtinës.

Rifat Latifi ishte emëruar më 16 nëntor të 2021-ës.

Në letrën e dorëheqjes që e kanë publikuar mediet, Latifi e njofton kryeministrin Albin Kurti, duke ia bashkangjitur dhe një raport 10-mujor të gjeturave dhe sfidave si dhe të arriturat e tij gjatë kësaj periudhe.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit po ju informoj se në mënyrë efektive iu ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, se që nga sot me datën 6 tetor 2022”, thuhet në letrën e dorëheqjes.

Të ngjashme