Bashkimi i Thaçit me Ramën

Prishtinë | 09 Qer 2019 | 08:25 | Nga Ekonomia Online

Pas goditjes që mori nga Gjermania për idenë e korrigjimit të kufijve, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, futi në agjendën e tij politike idenë e bashkimit kombëtar.

Atë e shpalosi në Shqipëri e Kosovë, duke bërë thirrje që dy parlamentet të nxjerrin deklaratat e nevojshme për ta jetësuar ëndrrën shekullore të shqiptarëve.

Karta e bashkimit kombëtar është një me të cilën luan prej vitesh edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, rëndom në periudha krizash të brendshme politike apo kur kërkon të marrë ndonjë karotë nga Bashkimi Evropian, shkruan sot Koha Ditore.

Por janë po të njëjtët liderë që i kanë rrënjosur kufijtë me vepra, andej e këndej.

I pasinqertë dhe populizëm i momentit është vlerësuar edhe ky qëndrim i presidentit të Kosovës. Karriera politike e Hashim Thaçit është e mbushur me nisma të cilat i ka mbrojtur deri në kufirin e durueshmërisë së ndërkombëtarëve.

Përpjekja për ta paralizuar Gjykatën Speciale bashkë me Ramush Haradinajn e Kadri Veselin, ndërmarrja ligjore rreth FSK-së në vitin 2017 pa mbështetje ndërkombëtare, ideja e korrigjimit/demarkimit të kufirit me Serbinë në kundërshtim me vullnetin e shumicës së partive dhe popullatës – janë vetëm disa prej proceseve në të cilat Thaçi nuk ka treguar konsistencë.

Javët e fundit Thaçi ka pushuar së insistuari në korrigjim të kufirit me Serbinë, në kuadër të marrëveshjes finale me Serbinë.

Hovin e ndali pas Samitit të Berlinit, në të cilin kancelarja gjermane Angela Merkel kërkoi t’u jepet fund opsioneve që implikojnë ndryshim kufijsh në Ballkan. Thaçi nisi të proklamojë bashkimin kombëtar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme