Çfarë po paralajmëron Serbia me idenë “Bota Serbe”?

Prishtinë | 21 Kor 2021 | 21:50 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka dalur në mbrojtje ministrit të Punëve të Brendshme Aleksandar Vulin.

Para disa ditësh Vulin i cili e ka të ndaluar hyrjen në Kosovë, gjatë një tubimi partiak i kërkoi Vuçiqit që të mbetet president e të angazhohet për krijimin e asaj që Vulin e quajti “Bota Serbe”“Nuk është e imja që ta hesht Vulinin.

Por, të gjithë duhet ta kenë të qartë, Serbia i ka kufijtë e saj të pranuar nga bashkësia ndërkombëtare pra nga Kombet e Bashkuara. Këta janë kufijtë e vetëm që na interesojnë. Këtu përfshirë Kosovën si pjesë të Serbisë në pajtim me Rezolutën 1244.” tha kryetari i Serbisë në një intervistë për televizionin Pink.

Për deklarimet e dyshes Vuçiq- Vulin, ka reaguar ish- kryesuesi i presidencës së Bosnjës, Bakir Izetbegoviq.

Ai tha se ideja e krijimit të asaj që quhet “Bota Serbe” është thjesht një eufemizëm për dëshirën e politikanëve në Beograd për krijimin e “Serbisë së Madhe”.

Nga ana e tij eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer ka deklaruar se Amerika dhe Evropa duhet ti ndalin apetitet territoriale të Vuçiqit sidomos ndaj Kosovës e Bosnjës.

“Është koha që Brukseli t’i tregojë atij se BE-ja nuk do të pretendojë më se anëtarësimi është mundësi për një shtet që ushqen ambicie territoriale dhe mos respekt për kufijtë e fqinjëve të vet. Dhe është koha që Washingtoni të sinjalizojë qartazi se NATO-ja do t’i mbrojë të gjithë fqinjët e Serbisë nga synimet jo fqinjësore të Beogradit. Është koha që BE-ja dhe NATO-ja të bëhen reale me Serbinë”, shkroi profesori në Universitetin “Johns Hopkins”.

Të ngjashme