Musliu: Duhet të ndalet avazi i kapjes së institucioneve

Prishtinë | 24 Pri 2026 | 16:10 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, në seancën e Kuvendit lidhur me shqyrtimin e pikës së rendit të ditës për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të Radio Televizioni i Kosovës, u shpreh se procesi ka qenë jo i drejtë, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se edhe intervistimi i kandidatëve ka qenë i padrejtë dhe ka pasur shkelje të procedurave.

“Pra, unë i kam ngritur shqetësimet e mia edhe gjatë procesit, që nga dita kur i kemi marrë vendimet për themelimin e komisioneve ad-hoc, e deri sot kur kemi për të votuar personat e përzgjedhur për të marrë pjesë në bordin e RTK-së. Ka pasur pakënaqësi të mëdha dhe ka pasur shkelje të procedurave. 75 kandidatë të intervistuar në përgjithësi ka qenë pak. Kemi punuar deri në 12:00 të natës dhe ju e dini se çfarë efikasiteti mund të ketë kur punohet jashtë orarit. Domethënë, kur them kemi punuar deri në 12:00 të natës, është fjala se kemi punuar prej orës 9:00 deri në 12:00 pa asnjë shkëputje. Thjesht kemi pasur një orar pa u ndalur dhe kemi vazhduar tutje. Janë lodhur kandidatët, e disa janë harruar se çfarë kanë folur, pastaj u është shtuar koha. Janë mbajtur nga 3-4 orë pa asnjë trajtim dinjitoz”, tha Musliu.

Musliu tha se duhet të parandalohet kapja e institucioneve dhe se vendimet që po merren në Kuvend nuk janë të drejta por të imponuara.

“Prandaj, jo rastësisht e kam thënë që vendimet që po merren në këtë Kuvend nuk janë të drejta, janë vendime të imponuara. Dhe nëse ne vazhdojmë në këtë formë ta trajtojmë Kuvendin, ne e shkatërrojmë legjitimitetin e tij, kredibilitetin e deputetit. Prandaj kjo qasje duhet të përfundojë. Jo vetëm se ju jeni në pushtet, por kushdo që tenton ta shkatërrojë dinjitetin e këtij Kuvendi duhet të ndalet, pa dallime partiake. Nuk guxojmë t’i degradojmë institucionet e vendit deri në këtë pikë. Sot ne do të jemi pjesë e votimit si Partia Demokratike e Kosovës, por evidentojmë të gjitha shkeljet dhe pakënaqësitë që janë bërë, në mënyrë që ato të mos përsëriten më tutje. Duhet të ndalet avazi i kapjes së institucioneve. Duhet të ndalet avazi i keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Duhet të ndalet avazi i arrogancës së numrave. Duhet të jemi korrektë, profesionalë dhe mbi të gjitha të përgjegjshëm për besimin që na kanë dhënë qytetarët e vendit”, u shpreh Musliu.

Të ngjashme