Në Instituti Albanologjik u mbajt një mbledhje përkujtimore në nderim të akademikut Rexhep Qosja, një prej figurave më të shquara të mendimit dhe letërsisë shqiptare, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur një fjalë përkujtimore në Instituti Albanologjik për akademikun Rexhep Qosja, duke e vlerësuar si një nga figurat më të mëdha të mendimit dhe kulturës shqiptare.
Kurti theksoi kontributin e gjithanshëm të Qosjes në gjuhësi, letërsi dhe debatet intelektuale, si dhe ndikimin e tij në trajtimin e autorëve shqiptarë dhe botërorë. Ai e përshkroi Qosjen si një mendimtar që ndërthurte letërsinë me filozofinë dhe angazhimin shoqëror, duke krijuar ide të reja për qytetin dhe politikën.
“Jemi këtu në institutin albanologjikë që kishte për zot shtëpie, pikërisht profesor Rexhep Qosjen. Rexhep Qosja është akademiku ynë i madh, sepse njohja e gjithanshme e fjalës sintaksë, frazologji, leksik, artikulon po aq sa gjuhësi, intelektualitet, politikë. Sepse folësit e shquar të gjuhës nuk mund të mos gjejnë vend në persiatjet e tij, qofshin këta të shqipes, qofshin të botës
Sepse emrat e përveçëm nga Virgjili te Balzaku, nga Kafka te Eko, ranë mbi të si gjëma e peshës së mendimit, dhe pesha e emrit të gjëmës. Ndjenjë e lartë e letërsisë në qoshkun e shqipes, sepse përvojat e studimit nuk mund të mos kthehen në inteligjencë të veprimti edhe nëse krijuesi nuk shprehet politikisht, akti krijon një rrethanë të re kuptimi, e kjo është një gjendje e re e politikës dhe e qytetit, sepse dyzimi i mendimit mes letërsisë dhe filozofisë nuk mund të mos kthehej në dyshimin e tij të përhershëm, mbi dhunën e dashurisë dhe mëkatet apo fajet e mendimit, ngaqë ai nuk deshi provincë po qytet. E qyteti nuk është numri i përfshirjes por shifra e pjesëmarrjes, sepse nga autorë listues i kritereve të rrallimit të Panteonit futet mes të rrallëve që përmban panteoni. Dhe nuk mund të mos merret si çdo shkrimtar i madh për shkak të urgjencave të kohës me tërë cenet ideologjike dhe tradicionale. U prehtë në paqe, profesor Rexhep Qosja dhe lum na që e patëm”, tha Kurti.