Debakli në INTERPOL

Prishtinë | 21 Nën 2018 | 08:08 | Nga Ekonomia Online

Kosova ka pësuar dje debakël në Dubai, ku mbahej Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it. Vendi qe një dekadë po dështon të bëhet pjesë e kësaj organizate. Për herë të parë ishte dorëzuar aplikacioni për anëtarësim në vitin 2010, duke e përsëritur kërkesën pesë vjet më vonë, kurse në vitin 2017, pasi e kishte dorëzuar aplikacionin, Qeveria e Kosovës e kishte tërhequr kërkesën me arsyetimin se nuk ishin votat e mjaftueshme, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Për të katërtën herë me radhë Republika e Kosovës ka dështuar të bëhet pjesë e INTERPOL-it. Gjatë ditës së djeshme Kosova nuk ia doli t’i merrte votat e mjaftueshme në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate.

Kërkesën e Kosovës për t’u bërë pjesë e INTERPOL-it në rundin e parë e përkrahën vetëm 76 shtete, përderisa kundër saj votuan 56 sosh dhe 22 të tjera abstenuan.

Ndërkaq, në rundin e dytë numri i shteteve që mbështetën anëtarësimin e Kosovës ra në 68, derisa këtë herë 51 shtete votuan kundër dhe 16 abstenuan.

Përkundër kësaj, Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it votoi pro anëtarësimit të dy shteteve të tjera, Kiribatit dhe Vanuatus, të cilat ishin në rend dite bashkë me Kosovën.

Për dështimin e djeshëm krerët institucionalë të Kosovës fajësuan direkt Serbinë, teksa thanë se përfaqësuesit serbë kanë bërë luftë të pamëshirshme kundër Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme