Deputetët kërkojnë unifikimin e doganave të Kosovës dhe Shqipërisë

Prishtinë | 04 Qer 2018 | 15:49 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjatë debatit parlamentar në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për unifikimin e pikave doganore ndërmjet tyre, Visar Ymeri, parashtruesi i debatit, tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të unifikojnë pikat doganore, gjë që do të ndikonte në unifikimin edhe të tregut, raporton Ekonomia Online.

“Presidenti e ka dekretuar një marrëveshje për lehtësimin e tregtisë mes Kosovës dhe Këshillit të ministrave me Shqipërinë më 11 janar 2014. Qëllimi kryesor për të cilën arritën marrëveshje të dy vendet nuk ndodhi kurrë, ajo e unifikimit doganor. Qeveria duhet të tregojë se ku ka arritë kjo marrëveshje që nuk është implementuar deri më tash”.

“Është e rëndësishme që dy ekonomitë tona të përballen në një tendencë në rritje përballë hegjemonisë që ka Serbia, një treg i përbashkët do t’i ndihmonte Kosovës dhe Shqipërisë. Unifikimi i tregut nënkupton që si treg i përbashkët të funksionojmë si një njësi ekonomike dhe të kemi reflektim ndaj hegjemonisë ekonomike të Serbisë”.

Sipas Ymerit, kjo rezolutë përmban dy pika:

“1. Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria të nisë procedurat për arritjen e marrëveshjes për unifikimin e doganave; 2.Kuvendi i Kosovës mbështet marrëveshjet bilaterale që unifikon doganat në mes dy shteteve respektive”.

Lutfi Zharku në emër të GP të LDK-së, tha se zvogëlimi i kostos së importeve përmes unifikimit doganor do t’i bënte produktet e dy vendeve më të konkurrueshme në treg.

“Zvogëlimi i kostos së importeve do t’i bënte më të konkurrueshme produktet e të dyja vendeve”.

Safete Hadërgjonaj, në emër të GP të PDK-së, tha se kjo lloj marrëveshje duhet të bëhet pjesë kryesore e politikave qeveritare, që, sipas saj, duhet të ketë investime dhe prodhimtari më të madhe për të dy vendet.

“Çfarëdo marrëveshje që lidhet mes dy shteteve tona dhe vlerësojmë arritjet që janë bërë që kanë të bëjnë me unifikimin e pikave doganore. Marrëveshjet si kjo duhet të bëhen pjesë e politikave qeveritare, dhe të bartin përgjegjësinë për implementimin e marrëveshjeve të tilla”.

Arbër Rexhaj, në emër të GP të LVV-së, fajin për këtë ua la Ministrive të Financave të të dyja vendeve që kjo e fundit nuk ka kontribuar në unifikimin doganor, raporton EO.

“Veprimtaria e dy ministrive të financave të dy vendeve është e mangët dhe nuk ka kriju premisa për unifikimin doganor.  Nuk ka asnjë angazhim institucional për unifikim doganor që ka dëmtuar besimin e bizneseve në të dy anët e kufirit. Këto dy vende kanë lidhë marrëveshje për tregti të lirë, por unifikimi doganor është një shkallë më e lartë”.

Ahmet Isufi, në emër të GP të AAK-së, tha se kjo marrëveshje ofron mundësi për lëvizje të lirë të qytetarëve e të mallrave.

“Takimi i dy qeverive është pritë me entuziazëm nga qytetarët edhe të Kosovës edhe të Shqipërisë, sepse kjo marrëveshje ofron mundësi për lëvizje të lirë të qytetarëve, mallrave, dhe për arritjen e një marrëveshjeje që është planifikuar ajo e unifikimit doganor”.

“Takimet e dy qeverive kanë qenë reklama politike sesa që janë takuar për marrëveshjet. Debati i sotëm duhet të jetë një signal për ekzekutivin që në këtë drejtim të veprojë më sinqerisht. Ketyre ngecjeve ju dalin pengesa të tjera që janë shqetësimi i qytetarëve”, tha Zafir Berisha, në emër të GP të Nismës Socialdemokrate.

 

Të ngjashme