Dikoviqi pret “përmendore dhe jo aktakuzë” për veprat e kryera në Kosovë gjatë luftës

Prishtinë | 29 Maj 2019 | 10:00 | Nga Ekonomia Online

Për sa jemi kujdesur për popullsinë civile shqiptare në Kosovë gjatë kohës së luftës, atje do të duhej të më ngrenin përmendore dhe jo aktakuzë.

Kështu e citon agjencia serbe e lajmeve, FoNet deklaratën e ish-shefit të Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, gjeneralit në pension Lubisha Dikoviqit, dhënë “Novostit” pas lajmeve se drejtësia në Kosovë ka hartuar kundër tij aktakuzë për krime lufte, transmeton Koha.net.

Sipas tij, njësitet e ushtrisë serbe që i ka komanduar ai nuk kanë kryer asnjë krim lufte, bile, thotë ai, “një nga prioritetet gjatë veprimeve luftarake e kemi pasur kujdesin për popullsinë lokale dhe për refugjatët”.

Ai ka thënë se “në rrethanat e përgatitjes së gjykimeve të terroristëve shqiptarë nga UÇK” nuk e habit që sërish hapet çështja e përgjegjësisë së tij për krime lufte në Kosovë. “Më pikëllon fakti se aktakuza është shkruar në Beograd, e di mirë kush është autor”, ka thënë ai duke përmendur emrin e Natasha Kandiqit nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Siç është shprehur ai, “Kosova është shtet i rremë, me terroristë në krye, ku as aktakuzat e rreme nuk përbëjnë ndonjë të papritur”.

Rikujtojmë se ish-komandanti i njësive ushtarake serbe në Kosovë, Lubisha Dikoviq, është përgjegjës për masakrën e Rëzallës e Çikatovës, për dhunimet në Qirez të Skenderajt, për fshehjen e trupave të viktimave të shqiptarëve në një varr masiv në Rashkë (Serbi), dhe për krime të tjera të kryera në Kosovë në kohën kur ai ishte në krye të njësive ushtarake serbe në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme