Dumoshi: Ndihmat e MKRS-së për federatat, më të mirat në rajon

Prishtinë | 10 Pri 2020 | 20:49 | Nga Ekonomia Online

Ndarja e ndihmave për të gjitha federatat anëtare të komitetit olimpik, u kritikua paksa nga disa opinionistë futbolldashës, pasi sipas tyre futbolli është sport më i kushtueshëm sesa të tjerët.

Megjithatë, në një prononcim për GazetaBlic, ministrja në detyrë e MKRS’së, Vlora Dumoshi tha se ndihmat e dhëna për federatat ishin më të mirat në rajon, duke mos harruar as pakon prej 5 milionë eurosh e cila do të ndahet më vonë për të gjithë digasterët e ministrisë që ajo drejton.

“Nuk e di nëse kanë qenë të shumtë ata opinionistë që e kanë kritikuar këtë pako, por e vërteta është se ndihma që ne kemi dhënë si ministri për të gjitha federatat dhe forma e ndarjes është më e mira në rajon. Merrni analizoni dhe do të shihni. Ne kemi marrë lëvdata të shumta nga kreu i komitetit olimpik, Besim Hasani, teksa elozhetë nuk kanë munguar as nga krerët e të gjitha federatave”, tha fillimisht Dumoshi.

Ndërsa, sa i përket pakos prej 5 milionë euro që qeveria ka ndarë për këtë ministri dhe për gjasat që aktivitetet sportive të rikthehen, ajo u shpreh:

“Tashmë kemi bërë hapat e parë, ku kemi organizuar një grup-punues që do merret enkas me këtë çështje. Kjo do të jetë në formë të granteve, për secilën degë të ministrisë, kurse sa i përket rikthimit të aktiviteteve sportive, e gjitha do të varet nga vendimet e qeverisë, pasi siç edhe e shihni, lufta ndaj pandemisë momentalisht është parësore, andaj atje duhet të jetë synimi ynë kryesor, ku edhe shpresojmë që të ketë numër sa më të vogël të të prekurve”, përfundoi Dumoshi.

Të ngjashme