Ndërrohet komanda e Ekipit Ndërlidhës të NATO-s – Mehaj: Synimi kryesor i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO

Prishtinë | 08 Pri 2022 | 11:29 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Ministrinë e Mbrojtjes është mbajtur ceremonia e transferimit të detyrës së drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), me ç’rast gjenerali Jörg Rüter e dorëzoi detyrën e tij te gjenerali Joachim Hoppe, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se NATO mbetet e përkushtuar për një Kosovë të sigurte dhe paqësorë, derisa ministri i Mbrotjes Armend Mehaj, kërkoi mbështetje për anëtarësim të Kosovës në NATO.

Mehaj tha se synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO, sepse sipas tij, Kosova i ndanë vlerat e mendimet e njëjta demokratike me NATO-n, prandaj sipas tij, prioriteti i Kosovës është ngritja e kapaciteteve operacionale të FSK-së sipas standardeve të NATO-s.

“Krahas mbështetjes individuale të vendeve partnerë të NATO-s përkrahja përmes NATO-s dhe ekipit këshillues ndërlidhës ka rëndësi të veçantë edhe sot. Synimi ynë kryesor strategjik është anëtarësimi në NATO sepse i ndajmë vlerat e njëjtë, mendimet e njëjta demokratike. Prioriteti ynë është të ngrisim kapacitetet operacionale sipas standardeve të NATO-”, ka thënë Mehaj.

Gjenerali Jörg Rüter para dorëzimit të detyrës së tij u shpreh mirënjohës ndaj ekipit të tij dhe shtetit të Kosovës.

Tha se puna nuk do të kryhej mirë pa ndihmën e institucioneve të Kosovës.

“Ky është vetëm një nga shembujt e shumtë të marrëdhënieve të shtetit tonë të shkëlqyer. Gati një vit më parë mora përgjegjësin si drejtor i ekipit këshillues. Më kujtohet si kemi bërë dorëzimin e detyrës me 21 prill të vitit të kaluar po në këtë sallë. E mora këtë detyrë duke e ditur se do të kem përgjegjësi të madhe bashkë me detyrën. Nënkuptohet se nuk kisha arrit me bë këtë detyrë komplekse i vetëm. Falënderimet e mia të veçanta shkon për ekipin tim që përbëhet nga 40 gra dhe burra që vijnë nga 16 shtete. Kjo vlen edhe për këshilltarët e mi dhe stafin civil vendor”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i ri i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s, Joachim Hoppe, ka thënë se si drejtori ardhshëm nuk do të jetë vetëm, por do të jetë në mesin e grave dhe burrave që vijnë nga 16 kombe të ndryshme, të cilët sipas tij, janë thelbi i NALT-it.

Hoppe, tha se për vitin e ardhshëm synimi mbetet i pandryshuar, t’i këshillojnë dhe në këtë mënyrë ta promovojnë zhvillim sa më të mirë të organizatave dhe institucioneve të sigurisë në Kosovë.

Ai tha se si gjerman që është, është tipike t’i referohet futbollit dhe punës në ekip.

“Në futboll gjithçka ka të bëjë me ekipin, prandaj jam krenar që tani e tutje kam një vend të rregullt në këtë ekip të NATO-s. Si drejtor i ardhshëm nuk qëndroj këtu vetëm. Jam në mesin e grave dhe burrave dhe jam i lumtur që tani e tutje kam një ekip si në NATO. Unë dhe ekipi im do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të besueshëm me ju me të gjithë partnerët tanë. Jo për të treguar efekte afatshkurta por për të treguar suksese afatgjate”, tha ai.

Jorg Rüter u pajis me medaljen e NATO-së në shenjë mirënjohje si drejtor i ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s.

Të ngjashme