Emini: Kandidaturat e paraqitura për të parin e LDK-së, dëshmi që kjo parti s’ka unitet

Prishtinë | 11 Mar 2021 | 14:59 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Analistja politike, Donika Emini ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se numri i madh i kandidaturave për të parin e LDK-së tregon që kjo parti nuk posedon një unitet të brendshëm.

Sipas Eminit zgjedhjet e 14 marsit të kësaj partie mund të jenë vetëm formale që nuk sigurojnë proces demokratik.

“Dje pati një vërshim kandidaturash ku shihet shumë qartë që brenda partisë ka shumë probleme për të gjetur konsensusin dhe është shumë e vështirë sepse nëse kjo parti dëshiron të reformohet dhe të kthehet në gjendjen që ka qenë më herët, jo për të qenë njëra ndër partitë kryesore në vend duhet që të ketë angazhim nga brenda dhe nuk mund të ketë angazhim të tillë pa pasur konsensus, e ndarë në shumë fraksione dhe duke pasur garë jo të shëndetshme siç po e shohim tash”.

“Ka gjasa që LDK-ja të kalojë nëpër zgjedhjet e brendshme mirëpo të mos kalojë në një proces që është demokratik dhe gjithëpërfshirës, të bëhet zgjedhje veç sa për procedurë dhe kushdo që të vije prapë të jetë ose në krahun e Isa Mustafës ose të jetë nën ndikim nga ai”, është shprehur ajo.

Tutje Emini e ka konsideruar interesante garën për kryetar të LDK-së, duke e parë Lumir Abdixhikun si personin potencial për këtë pozitë.

“Duket si një garë shumë interesante, deri tash ka një mbështetje të gjithëmbarshme për Abdixhikun kjo sidomos për mënyrën se si e ka menaxhuar krizën brenda partisë, brenda LDK-së pas rënies së Qeverisë Kurti dhe asaj intervistës që e pati dhënë në një studio që çoi mesazh se është një lider potencial që ka vizion. Për elektoratin Abdixhiku do të ishte njëri nga kandidatët më opitmal për shkak që shihet edhe si i ri në pari që i është ofruar mundësia për të marrë drejtimin e partisë po që edhe është më i afërt me qytetarët dhe gjeneratat e reja të cilat LDK nuk i ka”.

Poashtu ajo ka thënë se Lidhjen Demokratike nuk mund ta rikthej vetëm një person, por që kësaj partie i duhet një grup individësh që kanë vullnet për ta reformuar.

“Për LDK nuk duhet vetëm emër, duhet të jetë një grup i cili ka një vullnet për të rikuperuar partinë, kështu që nuk është e varur vetëm nga një person, duhet një grup individësh që duhet të ndihmojnë kryetarit të ri për të riformuar. Kandidaturat e tjera janë kandidatura që janë pritur përveç Besian Mustafës e cila erdhi si vonë, dhe më shumë u interpretua se erdhi aty për të i’a ulur fuqinë politike një kandidati tjetër sesa për t’i fituar zgjedhjet brenda partisë” ka thënë ajo.

Emini ka pohuar se dorëheqja e Isa Mustafës nga pozita e të parit të LDK-së ka qenë e vonuar dhe se ai akoma shihet nga publiku si personi më me ndikim në këtë parti.

“Realisht dorëheqja e Mustafës është e vonshme dhe ky është perceptimi i gjithëmbarshëm në raport me gjendjen në LDK. Nuk është vetëm gjendja e LDK-së në vitin e fundit, janë reformat e nevojshme të cilat ajo parti nuk i ka bërë, të cilat kanë qenë tepër të nevojshme për të çuar mesazhin që megjithatë partia është duke iu adaptuar ndryshimeve të kërkesave të elektoratit”.

“Në anën tjetër normalisht që ka qenë imperative sidomos pas humbjes së zgjedhjeve lokale në Podujevë ku u dërgua një mesazh nga elektorati që LDK-ja ka nevojë për të ndryshuar në mënyrë që të votohet nga elektorati. Ngjarjet pas zgjedhjeve si dorëheqja e Isa Mustafës që ka qenë e vonshme dhe ende nuk është dorëheqje, pasi ende ai është personi që shihet nga publiku si me më ndikim në LDK pa marrë parasysh faktin se a është formalisht kryetar i partisë apo nuk është”, ka përfunduar Emini për EO.

LDK-ja të dielën mban Kuvendin zgjedhor ku pritet të votohet për të parin e partisë dhe udhëheqësin e re, krejt kjo pasi ish-kryetari Isa Muatafa dha dorëheqje pas rezultateve në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Të ngjashme