Escobar dhe Lajçak do të takojnë edhe partitë opozitare

Prishtinë | 31 Jan 2022 | 13:07 | Nga Ekonomia Online

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nisin sot  vizitën pesëditore në Kosovë dhe Serbi, në përpjekje për t’i inkurajuar liderët e dy vendeve që të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Vizita e diplomatëve vjen pasi Kosova dhe Serbia, qysh në korrik të vitit 2021, nuk kanë zhvilluar asnjë rund bisedimesh në nivel të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë vizitës në Kosovë, Escobar dhe Lajçak pritet të takohen me lidershipin politik, si dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti e kanë paralajmëruar se paditen e sotme do të takohen me dy emisarët perëndimor, shkruan Demokracia.com.

Dy diplomatët e huaj përveç takimeve me drejtuesit e institucioneve do të takohen edhe ma partitë opozitare.

Nga Partia Demokratike e Kosovës e kanë konfirmuar se Escobar dhe Lajçak të mart do të takohen me liderin e PDK-së, Memli Krasniqi.

“Po takimi do të zhvillohet nesër paradite”, ka thënë për Demokracia.com. zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.

Demokracia.com merr vesh që Escobar e Lajçak gjatë paradites të së martës do të takojnë edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Jo zyrtarisht merret vesh se dy diplomatët do të takohen me Abdixhikun në ora 10:30.

Nga kjo parti nuk kanë dashur të flasin lidhur me këtë vizitë.

As nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk kanë folur për vizitën e Escobaerit dhe Lajçakut.

Kujtojmë që sot Kosovën do ta vizitojnë dy emra të mëdhenj dhe shumë të rëndësishëm për politikën e jashtme kosovare. I Dërguari Special për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, do të vijnë në Kosovë.

Sipas analistëve, takimi do të koncentrohet në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes dy palëve, teksa theks i veçantë do t’i jepet edhe vazhdimit të dialogut me Serbinë.

Sllovaku Lajçak, në një intervistë  për Gazetën Express ka thënë se Marrëveshja për Asociacionin duhet të zbatohet mirëpo askush me mendje të shëndoshë nuk do “Republika Srpska” në Kosovë. Serbia ka të drejtë t’i japë propozimet e saj për Asociacionin, por kosovarët nuk do të detyrohen të nënshkruajnë diçka të dëmshme për vendin e tyre.

Lajcak ka treguar edhe arsyen pse ai do të marrë si “përforcim” Gabriel Escobarin në këtë takim, si dhe në një vizitë të njëjtë në Beograd. Ai ka thënë se kanë lidhje të ngushta me administratën Biden dhe se me Escobarin janë në kontakt të ngushtë gjatë gjithë kohës.

“Ne punojmë shumë ngushtë me administratën e Joe Biden-it. Jemi në kontakte të rregullta dhe të afërta me Gabriel Escobar-in. Kjo do të jetë mundësia e parë për të udhëtuar në Prishtinë dhe Beograd bashkë. Qëllimet e këtij takimi mund të them se janë tri. E para, për ta treguar mesazhin e unitetit, për të treguar se dialogu është i ndërmjetësuar nga BE’ja dhe i mbështetur nga ShBA’ja. E dyta, për të dëgjuar nga partnerët dhe për të diskutuar me ta se si të ecim përpara me procesin dhe, e treta, për të diskutuar disa çështje aktuale.”, ka thënë ai për Gazetën Express.

Edhe Escobar në një intervistë për Reporterin ka thënë se marrëveshjet e arritura duhet të respektohen.

“Presim që si Kosova, ashtu edhe Serbia t’i respektojnë zotimet e mëhershme. Qeveria e Kosovës është zotuar që të ketë një Asociacion i komunave me shumicë serbe (AKS). Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dhe nuk do të diktojnë se çka duhet të bëjë ky Asociacion e as cilat duhet të jetë kompetencat e tij; ky është vendim sovran që duhet ta marrë qeveria e Kosovës”, tha Escobar.

Në mes të tjerash, nga kjo vizitë, sipas njohësve të procesit të dialogut, do të kërkohet prej palës kosovare zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel, me theks të vecantë krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Të ngjashme