Frika nga koronavirusi, shtohet fluksi i konsumatorëve nëpër qendra tregtare

Prishtinë | 11 Mar 2020 | 10:25 | Nga Ekonomia Online

Ditëve të fundit, është shtuar fluksi i konsumatorëve nëpër qendrat tregtare në Kosovë. E produktet të cilat janë duke u blerë në masë më të madhe janë mielli, vaji, qumështi, e detergjentet e ndryshme.

E i gjithë ky numër i madh i interesimit për blerje është duke ndodhur si pasojë e frikës nga Koronavirusi, raporton KOHA.

Menaxherët e Viva Fresh Store thonë se dy ditë më parë, kanë vërejtur se qendrat e tyre kanë pasur më shumë konsumatorë, të cilët kanë blerë produkte më shumë se zakonisht.

Ata thonë se edhe vetë qendra e tyre është përkujdesur që të shtohet numri i rezervave për produktet më të kërkuara të momentit, kështu që vazhdimisht stoqet e qendrave janë duke u rimbushur.

Qytetarët tregojnë se këto ditë kanë dalë për blerje, veçanërisht për frikën që kanë nga kjo sëmundje, në mënyrë që për çfarëdo situate të jenë të përgatitur.

Por ka edhe nga ta që nuk e shohin të nevojshme të blejnë këto rezerva.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, tregon se ende nuk ka ndonjë dallim të madh në rritjen e importit të produkteve në Kosovë. Ai tregon se ka pasur interesim më pak për produktet nga Kina, e cila u prek për herë të parë nga Koronavirusi dhe se blerjet online janë zbehur dukshëm nga ky vend.

E Italia, vendi i cili në kohën e fundit e pësoi më keq prej vendeve më të afërta të Kosovës, ka rrjedhshmërinë e njëjtë të produkteve që vijnë në vendin tonë.

E, kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë, Berat Rukiqi, ditë më parë ka reaguar në lidhje me pasojat që mund të ketë Koronavirusi në ekonominë e vendit.

Ai ka propozuar Qeverinë e Kosovës që të kihen parasysh edhe masat e tjera pos shëndetësisë, pasi që si pasojë e mbylljes së kufijve, mund të vijë deri te mungesa e rezervave të miellit e produkteve themelore ushqimore.

Të ngjashme