Gëzim Kelmendi: Vetëvendosje i mashtroi myslimanët

Prishtinë | 27 Qer 2017 | 19:42 | Nga

Partia Fjala mori një për qind të votave në zgjedhjet e 11 qershorit, duke mbetur kështu jashtë Kuvendit. Kreu i kësaj partie, Gëzim Kelmendi tregon planet e Fjalës, duke bërë të ditur nëse do t’i bashkohet ndonjë subjekti tjetër.

Ai flet edhe për deklaratat e zyrtarëve të Vetëvendosjes që, sipas tij, po e ofendojnë komunitetin mysliman në Kosovë, dhe jo vetëm atë.

Gëzim Kelmendi, për Gazetën Express, thotë se pavarësisht pamundësisë së kalimit të pragut zgjedhor – që edhe më tutje e sheh si padrejtësi ndaj Fjalës, – motivi në partinë e tij nuk po mungon. Ai tregon se strukturat partiake po përgatitën dhe janë të fokusuara në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

“Jemi duke u përgatitur për zgjedhje lokale të motivuar të vazhdojmë edhe më të fuqishëm këtë rrugëtim politik”, thotë Kelmendi.

Kreu i Fjalës ka folur edhe për deklaratat e disa nga zyrtarëve të Vetëvendosjes që, sipas tij, fyejnë komunitetin islam në vend.

“Jo vetëm fyese për qytetarët e besimit islam, por janë në kundërshtim me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Ato nxisin urrejtje ndërfetare. Pres nga Prokuroria t’i hetojë këto deklarata”, thotë ish-deputeti për deklaratën e Sadri Ramabajës dhe të zyrtarëve të tjerë të VV-së.

Kelmendi tregon se nuk ka qenë vetëm Ramabaja nga VV që përdori gjuhë të urrejtjes ndaj myslimanëve, pasi që, sic thotë kreu i Fjalës, së fundmi ka pasur edhe zyrtarë të kësaj Lëvizje që kanë nxitur urrejtje ndërfetare.

“Distanicmi i VV-së ka qenë distancim kozmetik, në këtë rast Vetëvendosje është dashur edhe të dënoj deklaratat e tij”, thotë Kelmendi.

Ai ka përmendur fushatën zgjedhore, në të cilën, sipas Kelmendit, Vetëvendosje promovoi vlerat fetare, e këtë sipas tij, e bëri vetëm për përfitim të votave.

“VV nuk e ka luajtur rolin e partisë që është proklamuar gjatë fushatës. Ka promovu vlerat e fesë, përfshirë edhe mbulesën dhe lejimin e saj, vetëm sa për t’i përfituar votat e qytetarëve të besimit islam”, thotë ish-deputeti.

“Pas zgjedhjeve doli që të gjitha ato të ishin farsë, pasi që VV po hesht në deklaratat e vazhdueshme të zyrtarëve të saj”, shtoi Kelmendi.

Kreu i Fjalës pret nga Vetëvendosje, jo vetëm distancim, por edhe ta dënojë këtë gjuhë të urrejtjes, që sipas tij, rrezikon tolerancën ndërfetare në vend.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme