Gjermanët pas deklaratave të Borell: Jemi pro një marrëveshje Kosovë-Serbi që i kontribuon stabilitetit të rajonit

Prishtinë | 07 Maj 2020 | 15:52 | Nga Ekonomia Online

Nga Qeveria gjermane që drejton kancelarja Angela Merkel thonë se mbështesin dialogun e drejtuar nga Bashkimi Evropian dhe se janë për një marrëveshje e cila është në të mirën e serbëve dhe shqiptarëve dhe që nuk cënon stabilitetin e rajonit. Një qëndrimt të tillë nga Berlini zyrtar e kanë dhënë për Gazetën Express të pyetur rreth deklarimeve të Borell dhe rreth asaj nëse kundërshtojnë idenë e prekjes së kufijve.

Berlini zyrtar në mënyrë të vazhdueshme ka kundërshtuar idenë e lëvizjes së kufijve mes Kosovës dhe Serbisë që kur për një nismë të tillë u fol publikisht nga Thaçi e Vuçiq në Forumin e Alpabachut në Austri në gushtin e 2018-ës.

Ideja e shumë kundërshtuar për korrigjim kufijsh e shkëmbim territoresh që cilësohej e rrezikshme për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor konsiderohej se u varros në Samitin e Berlinit që u mbajt në fundprillin e vitit të kaluar, megjithatë deklarimet e fundit të Josep Borell, vërtetojnë atë që që disa analistë e kishin pohuar se ideja e shkëmbimit të territoreve “s’ka vdekur por është u endur si një fantazmë”.

Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borell,më 5 maj 2020 ka thënë se u takon Kosovës dhe Serbisë të vendosin nëse dëshirojnë të flasin edhe për korrigjimin e kufijve dhe se Bashkimi Evropian nuk mund t’iu tregojë palëve se për çfarë duhet të bien dakord e për çfarë jo.

Spanjolli këto deklarata të ngjajshme me paraardhësen e tij Mogherini i ka dhënë kur është pyetur nëse është kundër prekjes së kufijve siç është edhe Gjermania.

Por cili është aktualisht qëndrimi i Gjermanisë dhe Qeverisë Federale të cilën e drejton Angela Merkel lidhur me këto dekalrata të Borell-it rreth korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi?

Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga Qeveria Gjermane thonë se përkrahin vetëm atë zgjidhje e cila i shërben stabilitetit të rajonit dhe që është në të mirën e të dy popujve.

Gjithashtu nga Berlini zyrtar theksojnë se përkrahin fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Qeveria Federale vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun për normalizim midis Serbisë dhe Kosovës të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Synimi metetet arritja e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për një normalizim gjithpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’i shërbente popullsisë në të dy vendet dhe që do t’i kontribuonte stabilitetit të rajonit”, ka thënë një zëdhënës i Qeverisë Gjermane për Gazetën Express në pyetjen nëse Gjermania dhe Merkel kundërshtojnë idenë e korrigjimit të kufijve.

Lidhur me deklarimet e Borell sot ka folur edhe eksperti amerikan, Daniel Serwer, duke thënë se qasja moskundërshtuese e spanjollit është jo e sinqertë dhe e rrezikshme. Ai ka thënë se fatmirësisht Gjermania është kategorike kundër një ideje të tillë, megjithatë ka ngritur shqetësimet rreth asaj se çfarë do të ndodh kur të largohet Merkel nga pushteti.

Kundër prekjes së kufijve është edhe i gjithë faktori politik në vend. Nga Qeveria që drejton kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thonë se është i papranueshëm çfarëdo dialogu që synon të përfshijë brenda çështjen e ndarjes së Kosovës.

Edhe lideri i LDK’së, Isa Mustafa, ka thënë se askush nuk mund të korrigjojë kufijtë e Kosovës.

Gjithë ekspertët dhe njohësit e rrethanave politike në Ballknain Perëndimor vazhdimisht kanë kundërshtuar një ide të tillë duke thënë se cënon sigurinë e rajonit dhe rrezikon të krijoj një efekt zinxhiror të destabilizimit të rajonit sin ë Bosnje, Mal të Zi e Maqedoni të Veriut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme