Grafitet në shtëpinë e Adelina Graincës, Mimoza Kusari ka disa fjalë për PDK-në

Prishtinë | 21 Pri 2021 | 08:49 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së Shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas grafiteve me mesazhe fyese për familjen e deputetes së VV’së, Adelina Graincës, raporton Express.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Kusari ka thënë se ato grafite janë realiteti i mizogjenisë në politikën kosovare, sipas së cilës vajzat dhe gratë nuk konsiderohen të denja për vendimarrje pos si valutë për shkëmbim dhe zbatim të urdhërave të partisë.

Tutje Kusari-Lila ka kërkuar nga PDK’ja që ta dënojnë, siç ka thënë, këtë akt të shëmtuar, duke thënë se nëse nuk ndodh një gjë e tillë, atëherë kjo është përgjigja për arsyen e largimit të Graincës nga PDK’ja.

“Grafitet në muret e shtëpisë së familjes Grainca të shkruara dje pasdite, janë realiteti i mizogjenisë në politikën kosovare, sipas së cilës vajzat dhe gratë nuk konsiderohen të denja për vendimarrje pos si valutë për shkëmbim dhe zbatim të urdhërave të partisë.

Nëse ky akt i shëmtuar nuk denohet nga grupimi politik pjesë e të cilit ishte Adelina deri para zgjedhjes së Presidentes, atëherë aty qëndron vetë përgjigja e largimit të saj nga ata, në mënyrën se si një parti e konsideron dhe trajton një vajzë të re me mendim ndryshe”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, mbrëmë në muret e oborrit të shtëpisë së deputetes Adelina Grainca, persona të panjohur kanë shkruar grafite me mesazhe fyese për familjen e deputetes.

“BIJAT I SHESIM, VOTAT I QESIM” kjo është përmbajtja e disa grafiteve të shkruara në murin rrethues të oborrit të familjes së deputetes Grainca nga Ferizaj.

Adelina Grainca në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte zgjedhur deputete në listën e Partisë Demokratike të Kosovës. Por, e njëjta ka marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës më 4 prill ku ka votuar për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente dhe njëkohësisht kishte bërë të ditur se ka braktisur PDK-në dhe i është bashkuar Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lulzim Grainca, biznesmen dhe xhaxhai i Adelinës, ka deklaruar se sapo të nxjerr video-incizimet e kamerave të sigurisë do të tregojë kush është autori i grafiteve.

Të ngjashme