Hapat kushtetues deri te arritja e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi

Prishtinë | 16 Jan 2020 | 09:20 | Nga Ekonomia Online

Rifillimi i dialogut me Serbinë po shihet si i pamundur të arrihet në një të ardhme të parashikueshme, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike. Kjo edhe për shkak të situatës së krijuar në arenën politike, dhe mos arritjen e formimit të Qeverisë së Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Epik, Demush Shasha parasheh 6 hapa kushtetues deri tek marrëveshja përfundimtare me Serbinë.

Shasha, thotë se në kuadër të zhvillimeve të lidhura me arritjen e marrëveshjes me Serbinë, duhet respektuar me përpikëri rrugën juridiko-kushtetuese të procesit për të ardhur deri te një konsensus politik, dhe jo e kundërta, transmeton Koha.net

“Konsideroj se janë 6 hapa kushtetues që duhet respektuar për të arritur deri te marrëveshja përfundimtare me Serbinë. Fillimisht, Kuvendi duhet të votoj me 80 vota ekipin negociator, platformën negociuese dhe kufizimet e mandatit negociues. Duke njohur faktin që çështja e territorit ka qenë pikë ndarëse në procesin e deritanishëm negociator, dhe për të evituar çdo mundësi që territori të jetë objekt i diskutimit në negociata në kuadër të kufizimeve të mandatit negociues, konsideroj se duhet të këtë një pikë të veçantë, si vijon, ‘asnjë institucion qendror kushtetues nuk ka të drejtë të negocioj çështje që kanë për objekt diskutimi territorin e Republikës së Kosovës’”, tha Shasha.

Tutje, thotë Shasha, pas votimit të ekipit negociator, platformës negociuese dhe kufizimit të mandatit negociues, ekipi negociator ka për obligim që të zhvillojë negociatat nën kontroll të Kuvendit, ku pas çdo raundi negociatave është i obliguar të raportojë në seancën plenare të Kuvendit.

“Në fund procesit negociator, marrëveshja e negociuar duhet të ratifikohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës me 80 vota të të gjithë deputetëve. Në këtë kontekst, sa i përket qeverisë së re, konsideroj se duhet të sigurojë përfshirje substanciale të opozitës së re në procesin negociator me qëllim të krijimit të konsensusit të gjerë për një çështje të interesit mbi partiak”, thotë Shasha.

Ndërkohë, Shasha shprehet pesimist se do të arrihet një marrëveshje Kosovë-Serbi, të paktën edhe për një periudhë.

“Konsideroj se çështja e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nuk do të merr fund me asnjë qeveri për së paku një të ardhme të parashikueshme. Kjo pasi që arritja e një marrëveshje kornizë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do të jetë fillimi i normalizimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve, dhe jo fundi i tij. Kosova dhe Serbia kanë qenë në konflikt të armatosur. Kosova përjetoi një tentativë për spastrim etnik me viktima të shumta dhe dëme kolosale materiale. Në këtë kontekst, nuk mund të pritet tani që këto dy vende do zgjedhin mos marrëveshjet e tyre në një kështjellë Evropiane, brenda një fundjavë, dhe në disa faqe letër. Dhe e gjithë kjo me një qëllim të fitimit të një shpërblimi në skenën ndërkombëtare. Një qasje e tillë në fakt në vetvete do ishte e gabueshme”, tha Shasha.

Drejtori i Epik-ut, thotë se arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve nuk duhet parë si qëllim, por si mjet për të filluar një proces të gjatë, të pranimit të dy vendeve sovrane dhe qytetarëve të tyre si fqinjë te ardhshëm në një hapësirë e cila nesër do jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

“S’duhet parë si proces i cili nuk do të harrojë të kaluarën, por një procesi i cili do të siguroj kërkim-faljen dhe pranim-faljen nga dy vende respektive për hirë të ardhmes më të mirë të tyre”, tha ai.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, në një përgjigje për Koha.net gjithashtu thotë se çështja e dialogut me Serbinë është prioritare për çdo qeveri, por megjithëse Kosova ende s’e ka një qeveri të formuar, dialogu mbetet i pazgjidhur.

“Kosova ende nuk ka Qeverinë e re e cila një ndër çështjet prioritare të cilat duhet të adresojë është dialogu me Serbinë. Në anën tjetër në Serbi në pranverë pritet të ketë zgjedhje të reja që deri në formimin e institucioneve të reja në Serbi nuk pritet të ketë dialog. Gjithsesi janë disa faza që ndërlidhen me proceset e negociatave, dhe para diskutimeve në tryezë patjetër që duhet të ketë një fazë të paranegociatave ku në këtë rast pala kosovare duke bërë një vlerësim të të gjithë procesit deri më tani duhet të artikuloj qëndrimin e saj, të ndërtojë strategjinë e vet dhe të fillojë të lobojë për ta shtyrë atë përpara. Kjo duhet të vije nga një proces i cili ndërtohet mbi bazën e konsensusit të gjerë politik dhe mbi bazën e ndërtimit të qëndrimeve të përbashkëta dhe unike institucionale”, tha Krasniqi.

Tutje, Krasniqi thotë se dialogu si çështje do të jetë aktive në momentin kur Kosova të ketë Qeveri të re ndërsa presioni ndërkombëtar do të shtyjë drejt palëve që të ketë rifillim të këtij procesi gjatë këtij viti.

“Arritja e marrëveshjes është një çështje tjetër e cila varet nga shumë faktor të cilat shkojnë përtej vetëm dinamikës së brendshme të Kosovës por varen dhe nga dinamikat politike në Serbi si dhe qëndrimet e partnerëve ndërkombëtar. Duket e vështirë që palët të arrijnë të dakordohen brenda vitit për një marrëveshje pavarësisht faktit që Kosova nuk ka ende Qeveri. Gjithsesi për ne si Kosovë mbetet e rëndësishme që të kemi të qartë çfarë kërkojmë nga ky proces dhe të jemi mirë të përgatitur për tu përballur me një Serbi e cila është shumë më e fuqishme sesa Serbia e vitit 1999”, përfundoi Krasniqi.

Kujtojmë se dje Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka biseduar në telefon me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, nga të cilët ka kërkuar të rifillojnë sa më parë dialogun.

Ai gjithashtu konfirmoi vendosmërinë dhe angazhimin e tij personal si lehtësues i dialogut Kosovë-Serbi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme