Haradinaj: AAK-ja duhet të rritet dhe kryejë punët më të vështira në vend

Prishtinë | 29 Qer 2018 | 18:43 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë (AAK) duhet të vazhdojë të rritet si parti, të marrë përgjegjësi më të mëdha dhe t’i kryejë punët më të vështira të këtij vendi.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Aleancës, Ramush Haradinaj, gjatë një tubimi të partisë, me ç’rast u konstitua Këshilli i ri Drejtues i AAK-së, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj falënderoi anëtarët e kësaj partie për punën që kanë bërë dhe përgëzoi Këshillin Drejtues për besimin që kanë marrë nga kolegët, raporton Ekonomia Online.

“Ne kemi kaluar një periudhë jo të lehtë si subjekt politik që nga koalicioni, marrja e përgjegjësive, zgjedhjet komunale dhe të brendshme, etj. Që atëherë është një kohë që na ka mundësu gradualisht me e rimarrë veten në disa parametra të nevojshëm që duhet m’u nisë nga suksesi i ardhshëm. Dhe nuk është rastësi që dy palë zgjedhje dhe rrethanat që janë krijuar kanë qenë sfida për Aleancën dhe janë ende edhe sot. Sfidë ka mbetur angazhimi i Aleancës dhe do vazhdojmë bashkë me këto sfida, por do të mbërrijmë te ajo që është e drejtë, marrja e përgjegjësive për vendin tonë”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se tani e ka më të vështirë të jetë përkrah partisë që ai drejton, për shkak të angazhimeve të shumta si kryeministër i vendit.

Ai kërkoi që secili anëtar i kësaj partie të aktivizohet. “Duhet m’u aktivizu selia e Aleancës dhe me kuptu si punë të përditshme nga ora 7 në mëngjes në parti. Ajo është selia e juaj dhe duhet të aktivizohet nga ata që duan të punojnë”, tha Haradinaj.

“AAK-ja duhet të rritet, të marrë përgjegjësi më të mëdha në këtë vend dhe t’i kryejë punët më të vështira të këtij vendi”, shtoi Haradinaj.

Haradinaj skeptik për dialogun “me të njëjtit njerëz”

Kreu i ekzekutivit e ka konsideruar me fat shtetin e Kosovës që tani Këshilli i BE-së nuk ka diskutuar për liberalizimin e vizave, por për hapjen e negociatave për Maqedoninë dhe Shqipërinë.

“Ne diku deri më 12 korrik më së largu do ta kemi vlerësimin e Komisionit edhe ai Komision. Njerëzit tonë që qarkullojnë kah Parlamenti i BE-së, tani duhet të aktivizohen çofshin konsull, çofshin ambasadorë, çofshin staf diplomatik, por të gjithë ata që kanë mundësi dhe akses në Parlament, duhet të aktivizohen për agjendë. Tash është koha kur ne duhet t’i qasemi Parlamentit të BE-së, puna në Kosovë është kryer 95 kriteret e liberalizimit të vizave janë të kryme, por tash është puna atje, por nuk është me automatizëm se na i  kemi kryer kriteret edhe me ndodh, tash duhet të gjithë ne me mu marr. Do të ishte mirë t’ia kushtoj një kohë të madhe edhe unë si kryetar i Qeverisë, Parlamentit të BE-së“, u shpreh ai.

Kryeministri  i Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh skeptik për dialogun Kosovë-Serbi, pasi sipas tij mënyra më e mirë për të pasur rezultate të prekshme, është me hy një fuqi e re, si Amerika apo ndonjë shtet evropian.

“Unë jam skeptik se ka rezultat në këtë dialog, sepse janë të njëjtit njerëz, është Mogherini  dhe Angelina Eichhorst, janë aty të njëjtit prej që pesë vjet, presidenti Thaçi, presidenti Vuçiq janë të njëjtë. Nuk e kuptoj qysh këta mundemi përnjëherë diçka me ndryshuar, nuk ka ndodhur kurrgjë ndryshe, nuk e kuptoj pse lëvizin gjërat menjëherë. E vetmja mënyrë me ndodh diçka ndryshe në dialog është me hy fuqi e re, diçka që nuk ka ekzistuar deri sot, përndryshe imagjinoni shkojmë deri në Bruksel kthehem pa marrëveshjen e energjisë, bile që është e vogël. Ne kemi bërë kërkesë për një fuqi të re në dialog me ardh amerikanët, nëse amerikanët thonë që është temë e Evropës, vazhdojmë ulemi në tavolina, aty thotë le ta merr një shtet evropian dialogun në dorë, le t’i ndihmon BE-së, jo me hjek nga BE-ja, por le ta merr Gjermania, le t’i jap ndihmë ”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij është gabim të mendohet se duke e ndihmuar procesin e dialogut arrijmë më lehtë tek proceset tjera të rëndësishme për Kosovën.

Gjatë konstituimit të Këshillit Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj foli edhe për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Duke thënë se është e preferueshme për çdo njërin që ky transformim të bëhet me ndryshime kushtetuese, ai u shpreh se ka bërë çmos për t’i bindur serbët e Kosovës për ta votuar transformimin e FSK-së në ushtri.

“Nëse shkojmë në bazë të ligjit, e Kushtetuta jonë e parasheh këtë të drejt se buron  nga neni 126 dhe nga krejt parametrat kushtetues e ligjor që i ka dhënë Kushtetuta jonë, ne nuk krijomë tensione të brendshme, ne nuk ftojmë palë të panevojshme në debat, se nuk varet nga askush tjetër, ne ecim përpara. Këtë jam duke e bërë me kujdesin më të madh”, ka thënë ai.

Në cilësinë e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj u shpreh se deri në shtator partia që ai e udhëheqë është e gatshme për të arritur suksese të reja si subjekt politik.

Lulzim Leci nga AAK tha se këshilli drejtues i AAK-së përbëhet nga 73 anëtarë të zgjedhur në Kuvendin Zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Të ngjashme