Haradinaj: Deri kur duhet të ketë dialog politik

Prishtinë | 05 Pri 2018 | 10:48 | Nga Ekonomia Online

Në konferencën e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) dhe Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG), në të cilën u diskutua faza finale e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mori pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

“Pseja e kësaj teme dihet. Ju drejtohem familjarëve të Rezallës. Çdo javë ka pasur nga një masakër. Mos harroni se Kosova ka ardhur këtu përmes një dhimbje të kosovarëve. Janë plagë qe janë në zemër e mendje të shumë njerëzve. Çka ka mungu në këtë proces që nuk po mbyllet, nuk ka mungu Kosova. Evropianët e qysh janë të ngadalshëm, e kanë marrë ngadalë këtë proces”, tha kryeministri Haradinaj, raporton Ekonomia Online.

Sipas kryeministrit, Brukseli duhet të kërkojë ndihmë nëse nuk ka kapacitet për ta përmbyllur çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

“Sa u përket marrëveshjeve, disa janë zbatu, disa jo, siç është ajo për energjinë. Këtu shihet dobësia e Brukselit, lejon me ndodhë plot veprime të jashtëligjshme. Mosgatishmëria e dikujt me marrë rolin nuk do të thotë se e ndalë Kosovën. Finalja është marrëdhëniet që e njohin shtetet njëra-tjetrën, është njohje reciproke, duhet me ndodhë, kush e ka fuqinë duhet me ndihmu, kush nuk e ka duhet m’i thënë Kosovës ecni rrugës suaj. Kanë kaluar dy dekada dhe po na thonë vazhdoni dialogun. Deri kur duhet të ketë dialog politik”, shtoi Haradinaj në këtë konferencë.

“Janë 20 vjet, dy dekada. Brukseli duhet të dëgjojë hapur që jemi lodhur si Kosovë. Duhet të jemi unikë si Kosovë, jo se duam të kritikojmë Brukselin por se jemi në zor. Një komunikim strategjik për perspektivën tonë është i rëndësishëm. Edhe për komunikim me palë të tjera jam dakord. Për pyetjen e Rashiqit duhet me ba një analizë, nuk mund të flasim këtu. Nëse kjo çështje nuk përmbyllet do të reciklohen kriza të reja në Ballkan. Kemi shku larg në deforminin e të vërtetës”.

Kryeministri Haradinaj u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me liderët politikë për përmbylljen e çështjes së dialogut.

Të ngjashme