Haradinaj i telefonon Stoltenbergut, e informon se ushtria votohet më 14 dhjetor

Prishtinë | 06 Dhj 2018 | 14:13 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në një postim në faqen e tij në Facebook, Haradinaj ka bërë të ditur se e informoi sekretarin e Përgjithshëm, Stoltenberg, se Kosova është e përkushtuar për një proces të tranzicionit të FSK-së që do të sigurojë një ushtri profesionale, multietnike dhe kredibile në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Ky vendim sovran i Kosovës, i cili do të votohet më 14 dhjetor, përmban në vete vizionin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës që të ruajnë dhe mbrojnë vlerat perëndimore”, ka shkruar Haradinaj, i cili ka theksuar se ka shprehur mirëkuptim për qëndrimin e Stoltenbergut nga perspektiva multilaterale për procesin e tranzicionit.

Kreu i Qeverisë ka theksuar se FSK-ja do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë. Institucionet e Kosovës do të sigurohen të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me KFOR dhe NATO-n, pasi që ndajmë të njëjtat shqetësime të sigurisë, interesat dhe vlerat.

Haradinaj njofton se i ka shprehur Stoltenbergut falënderimin e tij dhe të popullit të Kosovës për misionin e KFOR-it në Kosovë dhe kontributin e NATO-s për një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Gjithashtu shpreha respektin dhe ndjenjën e thellë për shumë ushtarë të NATO-s që kanë humbur jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë”.

Vërejtja e sekretarit të NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar dje Prishtinën zyrtare se do të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës.

Sipas Stoltenbergut, ky proces po udhëhiqet “në një moment mjaftë të papërshtatshëm” dhe se nuk janë respektuar procedurat.

Këto deklarata, kreu i Aleancës Veriatlantike i bëri në fund të takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, ku është diskutuar për gjendjen në Ballkanin Perëndimor.

“Kjo shkon përtej këshillimeve të shumë zyrtarëve të NATO-s. Dhe, mund të ketë pasoja serioze për integrimin e ardhshëm të Kosovës në proceset euroatlantike”, ka thënë ai.

Autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës përmes tri ligjeve që pritet të miratohen në Kuvend më 14 dhjetor. Lidhur me këto synime, kreu i NATO-s ka tërhequr vërejtjen se nëse një gjë e tillë ndodhë, atëherë “NATO-ja do të shqyrtojë angazhimin e saj rreth Kosovës”.

I pyetur se për çfarë pasoja bëhet fjalë, Stoltenberg ka deklaruar se vendimet i takojnë Këshillit të Aleancës Veriatlantike, si organi më i lartë i NATO-s.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme