Haradinaj: Nuk kemi biseda me VV-në dhe LDK-në për formimin e Qeverisë

Prishtinë | 10 Jan 2020 | 13:47 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së qeverisë ka folur për bisedimet VV-LDK për koalicion dhe për mundësinë që AAK-ja të bëhet pjesë e ndonjë negociate për krijim të qeverisë së re, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj tha se nuk ka biseda me dy partitë që po tentojnë ta bëjnë koalicionin qeverisës VV-në dhe LDK-në.

“Sa i përket LDK-së dhe VV-së neve nuk na ka kontaktuar askush, prej Vetëvendosjes nuk e dimë procesin. Në sistemin tonë parlamentarë partia fituese mbahet përgjegjëse për krijimin e Qeverisë, unë kam marr pjesë në krijimi e 2 qeverie dhe nuk ka qenë e lehtë. Ne nuk mund të kërkojmë takim as me z. Kurti as me LDK-në, unë nuk jam pjesë e asnjë diskutimi qoftë me LDK-në, qoftë me VV-në”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se në muajin prill mund të bankrotoj shteti, nëse nuk vjen qeveria e re. Ai tha se deri në mars kanë vetëm një mundësi që të kërkojnë nga parlamenti buxhet shtesë për edhe në muajin mars.

Ndërsa sa i përket muajit janar dhe shkurt tha se nuk ka vështirësi financiare.

“Në bazë të ligjeve të Kosovës 1/12 e buxhetit aktivizohet për dy muaj nëse në fund të shkurtit nuk është qeveria e re ekziston edhe një mundësi me i kërkuar parlamentit që për në mars fonde shtesë për buxhet por në prill, jo që bankrotojmë por dështojmë plotësisht. Mundësia e vetme ligjore është vetëm për mars, për janar dhe shkurt nuk ka vështirësi të funksionimit buxhetor”, tha ai, raporton EO.

Haradinaj i pyetur se a është shkatërruar ISIS-i pasi Trump ashtu ka deklaruar tha se nuk ka informacione tjera dhe me këtë veprim sot dëshiron të tregojë që jemi partner serioz.

“Ato janë në deklarime që i kanë Amerika, ne bazohemi në informata që i kemi dhe në përvojën tonë, ne dëshirojmë të tregojmë që jemi partner seriozë”, tha ai, raporton EO.

Haradinaj i pyetur për ministrat në detyrë që janë zgjedhur deputet ka thënë se nuk mund t’i detyroj të japin dorëheqje ngase ata janë persona politik.

“Unë pas zgjedhjeve e kam liruar postin e deputetit, z. Hamza dhe z. Rasim Demiri kanë paraqitur dorëheqje, të tjerët e bëjnë zgjedhjen e tyre, përderisa se kanë dhënë betimin unë nuk mundem me i detyru me dhënë dorëheqje ata janë persona politik”, tha Haradinaj, raporton EO.

Haradinaj ka arsyetuar vendimin që ka marrë për ndarjen e 250 mijë eurove për Koalicionin Global Kundër ISIS-it.

Ai ka thënë se Kosova është pjesë e këtij koalicioni dhe ka për obligim ta përkrahë atë në luftën kundër terrorizmit.

“Kosova është anëtare e koalicionit kundër terrorizimit, në kuadër të këtij obligimi i kryem detyrat tona. Kosova është e gatshme ta përkrahë këtë koalicion në aspektin ushtarak, policor dhe të inteligjencës. Kësaj here e kryem edhe obligimin financiar, këtë vit e kemi rritur shumën, vitin e kaluar ka qenë 100 mijë euro”, ka thënë Haradinaj.

Të ngjashme