Haradinaj: Vendimi i GJND-së, ngjarje e rëndësishme në historinë e shtetformimit tonë

Prishtinë | 22 Kor 2021 | 11:29 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar 11 vjetorin e vendimit të GJND-së për ligjshmërinë e Pavarësisë së Kosovës.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se mendimi i GJND-së është ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë të shtetformimit dhe shtetndërtimit.

“Ne aspirojmë në rrugën euro-atlantike. Me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë evropianë në krah, po rrugëtojmë drejt NATO-së dhe BE-së”, ka shkruar Haradinaj.

Postimi i plotë:

Kosova e 17 shkurtit, në tërësinë e saj të plotë territoriale dhe rregullimin e brendshëm unitar është faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon!
Njëmbëdhjetë vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, legjitimoi përpjekjet tona historike, të drejtën tonë për shtet. Mendimi i GJND-së është ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë të shtetformimit dhe shtetndërtimit.
Ishte rastësi se në procesin tim të dytë gjyqësor në Hagë, u ftova vetëm një ditë para këtij vendimi. Por, kur u ftova prapë në Hagë me 2019, disa ditë para përvjetorit të verdiktit të GJND-së, Kosova ishte më e fortë se kurrë. E pavarur, sovrane, me ushtri të vetën dhe me tarifë 100% ndaj mallrave të Serbisë, e cila në mënyrë agresive po lobonte për të përmbysur të arriturat tona.
Ne aspirojmë në rrugën euro-atlantike. Me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë evropianë në krah, po rrugëtojmë drejt NATO-së dhe BE-së. Kemi punuar shumë, por duhet të vazhdojmë edhe më tutje, të qasemi me kujdes dhe vendosmëri, në detyrat që kemi përpara, deri në realizimin e qëllimet tona.

Të ngjashme