Haxhiu e Haekkerup presin që marrëveshja për burgjet të finalizohet në maj – Danimarka premton mbështetje për vizat

Prishtinë | 11 Mar 2022 | 12:19 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës, janë afër finalizimit të marrëveshjes për dhënien me qira të burgjeve për të burgosurit nga shteti danez. Të dya palët presin që kjo marrëveshje të finalizohet në muajin maj, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për medie, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me homologun e saj nga Mbretëria e Danimarkës, ministrin Nick Haekkerup, thanë se kjo marrëveshje do ta thellojë bashkëpunimin ndërmjet shteteve, derisa u tha se bashkëpunimi do të zgjerohet edhe në fushat tjera.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se përmes kësaj marrëveshje do të vazhdojnë thellimin e reformave në drejtësi.

“Kjo ka zgjuar interesim edhe të qytetarëve sepse konsiderohet marrëveshje me peshë. Të dy delegacionet kanë treguar seriozitet. Marrëveshje me shtetet serioze i kontribuojnë institucioneve tona. Ky akt do të dëshmojë se Kosova është partner serioz. Përmes kësaj marrëveshje duam të vazhdojmë thellimin e reformave në drejtësi. Nga kjo konferencë theksoj se zotimi jonë është i qartë dhe do të angazhohemi për bashkëpunim në fusha të zgjeruara”, tha Haxhiu.

Ministrja Haxhiu pret që kjo marrëveshje të finalizohet në muajin maj.

“Qëllimi ynë është që kjo marrëveshje të finalizohet dhe në muajin që vjen në fillim të muajit maj. Është e rëndësishme që synimet tona që kjo marrëveshje të finalizohet. Kur qendra të jetë gati ne e njoftojmë dhe i sjellin të burgosurit”, tha ajo.

E ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Nick Haekkerup, foli për këtë marrëveshje. Ai tha se nënshkrimi i parë ka ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar.

“Bisedimet e traditës së gjatë të bashkëpunimit historik ndërmjet dy vendeve tona. Në dhjetor patëm takime me ministren e Drejtësisë ku nënshkruam letër qëllimi për të fuqizuar bashkëpunimin në fushën e të burgosurve. Diskutimi është fokusuar në marrëveshjen e dhënies me qira të burgjeve. Diskutimet kanë qenë të frytshme”, tha Haekkerup.

Ministri Haekkerup, tha se me një marrëveshje të tillë, shteti i tij do të jetë më i zëshëm në kërkesën që Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave.

“Ne kemi kontaktuar Kosovën sepse kemi raporte të gjata me ta dhe kemi qenë ndër vendet e para që kemi njohur Kosovën. Ndihemi më rahat me Kosovën. Ishte e natyrshme ta fuqizojmë bashkëpunimin tonë. Mendoj që një marrëveshje e tillë do të na mundësoje të jemi më të zëshëm sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Është e rëndësishme të shohim zotimin e madh të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian”, tha ai.

Të ngjashme