Hoti: Çështja e vizave diskutohet në çdo takim që kam me përfaqësuesit e BE-së

Prishtinë | 10 Kor 2020 | 21:24 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën diskutohet në çdo takim që zhvillon me përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai nuk ka pranuar të japë një datë për liberalizimin e vizave, por ka shtuar se do të insistojë ta kërkojë heqjen e regjimit të vizave për Kosovën.

“Çështja e vizave diskutohet në çdo takim që kam me përfaqësuesit e BE-së. E kam thënë edhe sot në takimi virtual se është interes edhe i BE-së që t’i hapë dyert për qytetarët e Kosovës që janë të vetmit që nuk e gëzojnë liberalizimin e vizave”.

“Kemi dhënë zotimin se do t’i mirëmbajmë të plotësuara ato kushte që kemi përmbushur siç është luftimi i krimit dhe korrupsionit që janë me interes në sytë e BE-së”.

I pyetur se kur do pritet të bëhet liberalizimi i vizave, Hoti është përgjigjur “për këtë temë do të jem i rezervuar deri sa të ndodhë liberalizimi i vizave”.

“Unë do të insistoj me ngulim që të kemi liberalizim. Unë do t’i garantoj ata që kushtet që i kemi përmbushur do t’i mbajmë”.

“Nuk i fitojmë vizat duke sharë BE-në, por duke insistuar dhe treguar kredibilitet nga ana e shtetit të Kosovës që e meriton liberalizimin e vizave”.

Të ngjashme