Hoti: Platforma e LDK-së, e vetmja adresë për zhvillimin e komunave

Prishtinë | 04 Tet 2017 | 15:38 | Nga

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka prezantuar të mërkurën Platformën e Zhvillimit Ekonomik Lokal edhe në Gjakovë, ku kanë marrë pjesë edhe kandidatë të saj nga komunat përreth.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se është hera e parë që një parti politike në Kosovë i fton bizneset për të biseduar për Platformën e Zhvillimit Ekonomik Lokal, sepse zakonisht komunat janë parë si institucione që për qytetarët më tepër ofrojnë shërbime administrative.

Ai tha se mundësitë dhe kompetencat e komunave janë shumë më komplekse, siç janë: punësimi, zhvillimi ekonomik, orientimi i zhvillimit, çështjet infrastrukturore, arsimi, shëndetësia, çështja e ambientit e të tjera.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se është fakt i pamohueshëm se, kur flitet për zhvillim ekonomik, adresa e vetme është LDK-ja.

“Ne jemi parti e djathtë dhe kjo parti beson se bizneset janë promotor i zhvillimit ekonomik. Po dëgjoj kritika ndaj LDK-së dhe unë pajtohem se nuk jemi shtëpi perfekte, sepse nuk ka shtëpi perfekte, por është mirë që krahasimi të bëhet në raport me të tjerët, duke shikuar se çfarë ofrojmë ne, e çfarë ofrojnë ata”, ka thënë Abdixhiku.

“Kur ata flasin për biznesin dhe zhvillimin ekonomik, fjalën e kanë për bizneset e tyre personale. Këta janë të vetmit njerëz që e kanë zbuluar tenderomaninë, korrupsionin, kapjen e shtetit, haraçin. Ndërsa, të dytët janë ata që ende besojnë në revolucion, derisa në platformën e tyre e kanë mbi 30 për qind tatim në biznes, prandaj asnjëra, e as pala tjetër nuk janë zgjidhje për qytetarin. Në fakt ata janë të zënë me grushtime, fyerje e çka jo tjetër, ndërsa ne jemi të zënë me tubime si kjo sot”, ka shtuar Abdixhiku, përcjell EkonomiaOnline.

Ai pohoi se në platformën e LDK-së janë renditur 10 shtylla, të cilat janë bërë në konsultim me kryetarë të komunave. Zhvillimi dhe funksionimi i zonave ekonomike, rishikimi i taksave komunale (ulja e tatimit në pronë në secilën komunë që do të qeverisë LDK-ja), rritja e financimit komunal (gjetja e mundësive për rritjen e buxhetit komunal pa u mvarur krejtësisht nga qeveria), rregullimi urban në funksion të zhvillimit të biznesit, mbrojtja e ambientit, transporti e infrastruktura, subvencionimi i prodhimeve dhe bizneseve vendore, bujqësia dhe zhvillimi rural gjithëpërfshirës, shërbimet publike efikase dhe e fundit, arsimi, janë pikat e platformës zhvillimore të LDK-së, për të cilat Abdixhiku ka folur me detale.

Bekim Ermeni, kandidat për kryetar të Gjakovës, po ashtu ka folur për shtyllat kryesore të zhvillimit, konkretisht për komunën e tij.

Ai ka theksuar se gjatë qeverisjes së LDK-së, Gjakova do të përjetojë zhvillim shumë më të madh se sa ai që e pati nga qeverisja e kaluar, e cila më shumë ka propaganduar se sa që ka kryer punë. Ermeni ka shtuar se do të ketë kujdes shumë më të madh edhe në ndarjen e granteve, ndërsa vlera mbështetëse do të rritet në vazhdimësi, ndërkohë që ka premtuar e Çarshisë së Madhe, një vlerë historike e Gjakovës.

Kandidati i LDK-së për kryetar ka premtuar edhe për disa projekte tjera të rëndësisë së madhe për komunën e Gjakovës, të cilat i ka elaboruar veç e veç.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme