Hoti: U tentua kontrabandimi i Ligjit për Gjykatën Supreme, brengosëse qasja ndaj interesit të qytetarëve

Prishtinë | 28 Qer 2018 | 16:42 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur konferencë për medie për të shprehur shqetësimet rreth seancës për Ligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, për të zëvendësuar gjyqtarët e EULEX-it, të cilëve u ka mbaruar mandati.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se janë pajtuar që të kalojë në mënyrë të përshpejtuar vetëm ky nen, por deklaroi se u shndërrua në ligj voluminoz me shumë nene e faqe. Sipas tij pozita deshi ta kontrabandojë atë, por që opozita nuk e lejoi, raporton Ekonomia Online.

“Seanca e sotme zgjati me shumë përplasje për Ligjin për Dhomën e Veçantë për Gjykatën Supreme për të zëvendësuar gjyqtarët e EULEX-it që u ka mbaruar mandati, por që u shndërru në një ligj me 80 nene dhe 140 faqe, u duk sikur duan ta kontrabandojnë. Pas dy ore, kjo seancë dështoi në mungesë të qasjes konstruktive”.

“Ne jemi dakorduar që ai ligj të kalojë me procedurë të përshpejtuar me vetëm një nen, pra që të zëvendësojmë gjyqtarët e EULEX-it  me gjyqtarë vendorë. Njëra nga vërejtjet që e i kemi është heqja e panelit të gjyqtarëve me nga tre gjyqtarë që shqyrtojnë, ju e dini që janë dhjetëra miliona euro që presin për shqyrtim nga kjo dhomë që t’iu shpërndahen punëtorëve në veçanti dhe kreditorëve tjerë potencial”.

Hoti shtoi se një nga vërjejtet e tyre është heqja e panelit prej tre gjyqtarëve dhe kjo procedurë të kryhet me vetëm një gjyqtar.

“Këta kanë paraparë që të heqin panelin zgjedhor dhe këtë punë ta kryejnë vetëm me një gjyqtar dhe plot vërejtje tjera të cilat do t’i themi tash në procedurë të rregullt. E rëndësishme është që ajo u stopua sot me insistimin e opozitës dhe grupit tonë parlamentar që të mos shkojë në procedura të përshpejtuara pa vëmendjen e nevojshme të gjithë deputetëve”.

Hoti ka thënëse shprehin brengosje lidhur me qasjen në Kuvend ndaj nismave ligjore në interes të qytetarëve dhe bizneseve.

Sipas tij, tri projektligje që burojnë nga pakoja e dytë fiskale që prekin mijëra bujq anembanë Kosovës ku është paraparë që të hiqet tatimi prej 3 për qind, për të gjithë grumbulluesit e produkteve bujqësore, dhe veprime tjera, nuk u përkrahen në seancë vetëm pse ato i ka inicuar LDK-ja.

“Tri këto amendamente në tri projektligje bazike nuk u përkrahën në seancë vetëm pse kanë ardhur nga LDK-ja. Kjo është logjika qeverisëse e këtij koalicioni që po e dëmton shtetin. Shpresojmë që të përfundojë kjo formë e qeverisjes”.

Hoti ka folur edhe për formimin e Komisionit hetimor për emërimet në administratë publike dhe për deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, komision ky i cili, sipas Hotit, u pengua nga PDK-ja.

Hoti ka deklaruar se njerëzit që kanë qenë në krye të institucioneve në kohën e deportimit të shtetasve turq, ishin kryesisht njerëz. të lidhur me PDK-në. Ai ka thënë se pret që komisioni të jetë efikas me të gjeturat e tij.

“Sot u themeluan dy komisione hetimore parlamentare, njëri i inicuar nga grupi ynë parlamentar lidhur me hetimin për të ndriçuar e rastin e dëbimit të 6 shtetasve turq, pas shumë pengesave që u bënë në Kuvend, në veçanti nga Grupi Parlamenar i PDK-së. Ti shohim të gjeturat, por ka pasur shkelje flagrante të ligjeve në fuqi që i saktësojnë procedurat për mënyrat se si dëbohen shtetasit e huaj që janë në Kosovë”.

“Njerëzit që kanë qenë në krye të këtyre institucioneve, në formate të ndryshme, janë kryesisht njerëz të PDK-së dhe normalisht që ka pasur një hezitim të madh për këtë çështje, por tash pres nga komisioni që të jetë shumë efikas me të gjeturat e tij. Pres nga ky komision që shumë shpejt të dalin para seancës në afatin që e ka definuar seanca dhe të dalin me raport për të gjeturat e kësaj shkeljeje flagrante të drejtave njerëzore”.

Hoti tutje ka thënë se ka shkelje ligjore edhe në emërimet në shërbimin e lartë civil në Administratës Shtetërore.

“Komisioni i dytë hetimor parlamentar u themelua për çështjen e emërimeve në shërbimin e lartë civil në Administratën Shtetërore. Edhe këtu kemi pasur shumë shkelje dhe shpresoj që komisioni të dal me të gjetura për të parë se si e kemi situatën këtu dhe çfarë mund të përmirësojmë më tutje”.

Të ngjashme