Hoxhaj: Kosova është në Strategjinë e Zgjerimit të BE-së, por s’ka afate sikur Serbia

Prishtinë | 30 Jan 2018 | 17:56 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka siguruar se Kosova është përfshirë në Strategjinë e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, por ai ka ngritur shqetësimin se në këtë dokument të rëndësishëm për Kosovën nuk ka afate kohore se kur mund të bëhet Kosova anëtare e BE-së, sikurse ka për Serbinë.

“Nëse Serbia bëhet shtet anëtar i Bashkimit Evropian për shkak të reformave të brendshme, për shkak të dialogut me Kosovën ne duam që edhe Kosova të bëhet shtet anëtar për shkak të reformave të brendshme dhe dialogut me Serbinë. Kjo është qasje e jona”, ka thënë ish-ministri i Jashtëm, raporton Ekonomia Online.

“Kosova është pjesë e kësaj strategjie për zgjerim, nuk ka asnjë dyshim dhe është lajm i mirë për Kosovën dhe për vendet e rajonit që Bashkimi Evropian del me një strategji për zhvillim. Por ajo çka ne jemi angazhuar është se nëse ka afate kohore, nëse ka kalendar kohor për Serbinë, do të ketë kalendar kohor për Kosovën dhe vendet e tjera e rajonit”, tha Hoxhaj.

Ish-shefi i diplomacisë kosovare thotë se qëndrimi i Spanjës vazhdon të jetë kundër shtetit të Kosovës, por thekson se Kosova po punon që ta ketë mbështetjen e e të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. “Ajo çka ka ndodh deri më tash është se ka një draft apo një version pune i komisionit, por unë besoj që përtej komisionit, shtetet anëtare mund ta japin kontributin e tyre me qëllim që ky version të ketë një qasje që përfshin në mënyrë të mirëfilltë edhe Kosovën edhe Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi edhe Serbinë edhe Bosnjën”, tha Hoxhaj.

Ai më tutje ka shtuar se deri më tani ka dal drafti i parë i strategjisë për zgjerim në nëntor, mirëpo qëllimi ka qenë që të reagohet për shkak se ka një version të dytë të strategjisë së njëjtë.

“Kosova është pjesë e kësaj strategjie. Shqetësimin e vetëm ne e kemi ka të bëjë me afate kohore. Nëse thuhet për Serbinë se çfarë ndodh në vitin 2021, 2023, 2024, 2025, ne duam që edhe për Kosovën të thuhet se çka do ndodhë në 2021, 2023, 2024, 2005. Nëse Serbia bëhet shtet anëtar i Bashkimit Evropian për shkak të reformave të brendshme, për shkak të dialogut me Kosovën ne duam që edhe Kosova të bëhet shtet anëtar për shkak të reformave të brendshme dhe dialogut me Serbinë. Kjo është qasje e jona”.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka thënë se duhet të ketë angazhim që Kosova të jetë sa më mirë e integruar në dokumentin strategjik të BE-së.

“Politika e jashtme është betejë, ne duhet të përpiqemi të luftojmë, të angazhohemi që Kosova të jetë sa më mirë e integruar në këtë dokument strategjik meqë në 10 vitet e ardhshme pavarësisht se kush mund të jetë në qeveri mos të jetë në qeveri, ne duhet ta zëmë hapin e kohës. Dhe roli im në qeveri të Kosovës është të shoh se ku jemi edhe pas 10 viteve, jo vetëm çka ndodh në janar të 2018-ës”, është shprehur Enver Hoxhaj.

Të ngjashme