Hoxhaj: Një muaj qeverisje pa plan e Kurtit, në QKUK nuk ka as barna e as vaksina

Prishtinë | 21 Pri 2021 | 11:00 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, në një mujorin e qeverisjes së Albin Kurtit ka thënë se kjo Qeveri vazhdon të punoj pa plan dhe pa ide derisa qytetarët kanë nevojë më shumë se kurrë për ndihmën e shtetit.

Hoxhaj ka thënë se Kurti po dështon të përballet me pandeminë, ekonominë e arsimin.

Kryetari i PDK-së ka shtuar se derisa QKUK-ja po përballet me mungesë edhe të barnave esenciale, edhe të vaksinave, Kurti po merret me fushatë në Shqipëri dhe përndjekje të gazetarëve.

Lexojeni statusin e plotë të Enver Hoxhajt:

1 muaj qeverisje pa plan! Po bëhen 1 muaj që kjo Qeveri ka marrë detyrën dhe ende nuk kanë prezantuar një plan qeverisës.

Improvizime, manipulime, vendime të përçarta e asnjë vizion se si të përballen me pandeminë, ekonominë e arsimin, kjo Qeveri po abstenon nga puna dhe përgjegjësia.

Albin Kurti është fshehur prapa protokolleve dhe takimeve zyrtare, me ata që dikur veturave të tyre ua fuste flakën, ndërsa as edhe një fjalë apo veprim konkret për tu dalë në ndihmë qytetarëve në këtë periudhë të vështirë.

E për t’i mbuluar të gjitha dështimet, Kurti nisi edhe luftën dhe përndjekjen e mediave të cilat guxuan të flasin për keqqeverisjen e tij. Kryeministri të zbresë deri në QKUK, ku sot mungojnë shumica e barnave esenciale, se për vaksina të mos flasim, e të shohë gjendjen reale të qeverisjes së tij.

Qytetarët, të cilët përveç problemeve shëndetësore, po sfidohen edhe ekonomikisht duke blerë gjithçka nga ilaçet dhe materialet shpenzuese. Kurti edhe mund të mos i dijë këto informata nga terreni, por e ftoj dikë nga oborrtarët e tij që, nëse kanë guximin, t’ia hapin sytë me disa doza realiteti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme