Ibishi: MPJ s’ka bërë asgjë për anëtarësim në Interpol, shpresat tek vendet anëtare

Prishtinë | 17 Nën 2018 | 08:32 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Fundi i këtij viti e ka gjetur Kosovën përballë tri çështjeve të rëndësishme, liberalizimit të vizave, anëtarësimit në Interpol dhe transformimin e FSK-së në ushtri.

Ndonëse për liberalizim të vizave, zërat nga vendorët dhe ndërkombëtaret nuk kanë qenë pozitiv, duket se për Interpol, beteja e Kosovës është më shpresëdhënëse edhe pse e vështirë.

Kështu e sheh edhe ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njohësi i rrethanave të sigurisë, Nuredin Ibishi.

Ai për Ekonomia Online tha se votimi i Kosovës në Interpol është vështirë i arritshëm, kjo sepse sipas tij, Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim, mirëpo me përkrahje të shteteve aleate, Ibishi shprehet optimist që mund të arrihet.

Për t’u anëtarësuar, Kosovës i duhet të sigurojë 2/3 e votave të shteteve anëtare që janë të pranishme në Asamblenë së Përgjithshme, ndërsa Interpol-i ka gjithsej 190 shtete anëtare.

“Ministria e Punëve të Jashtme s’ka bërë gati asgjë, shumë e dobët  ka qenë kjo qeveri, mund të them që një prej lobimeve më të dobëta që ka bërë. Tash janë ndarë këto 1.2 milion euro, është shumë vonë sepse asambleja mbahet në Emiratet e Bashkuara prej 18 deri me 21”.

“Është një fat i mirë që kemi mbështetje nga ShBA-ja dhe nga vendet evropiane dhe vendet me demokraci të zhvilluar mirëpo aty është çështje votash pra duhet të jenë 2/3  e asamblesë gjegjësisht prej 192 shteteve që janë aty dhe kjo është mjaft vështirë e arritshme. Unë po shpresoj shumë në lobimin që po bëjnë ndërkombëtarët sidomos partneret tanë strategjik se sa që ka bërë ministria e punëve të jashtme e cila ka dështuar në këtë lobim”, tha ai.

Asambleja e Përgjithshme e Interpolit zhvillohet nga 18 deri më 21 nëntor të këtij viti në Dubai.  Aplikimin e parë për anëtarësim në Interpol, Kosova e kishte bërë në vitin 2010 dhe më pas e kishte përsëritur 5 vjet më vonë.

Në vitin 2017, Kosova kishte hequr dorë nga kërkesa për pranim, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme për anëtarësim.

Tërheqjen e Kosovës nga Interpol-i vitin e kaluar, Ibishi e ka quajtur të gabuar pasiqë sipas tij, atëherë është bërë punë dhe lobim i mirë për anëtarësim.

“Unë jam një optimist, një entuziast. Pres pasiqë rastësisht vitin e kaluar atëherë kur është dashtë të mos tërhiqet kjo, sepse ka qenë një lobim i shkëlqyeshëm i mandatit të kaluar të ministrisë së Punëve të jashtme dhe përgjithësisht qeverisë, diplomacisë tonë, atëherë papritmas Palestina hyri në rend të ditës dhe u pranua në Interpol, edhe unë jam një optimist i matur dhe më shumë shpresat i kam në partneret strategjik se sa faktorët tanë që gati asgjë nuk kanë bërë në këtë mandat”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

Ndërkaq lidhur me për formimin e ushtrisë, Ibishi tha se FSK-ja ka kapacitete funksionale që të transformohet në ushtri.

“FSK është në mbikëqyrje të vazhdueshme nga zyrtarë të NATO-s apo të KFOR-it në Kosovë dhe non-stop është në mbikëqyrje të zhvillimit të kapaciteteve. Ata kanë përmbush përgjithësisht dhe është një qëndrim i të gjithëve që FSK sa i përket kapacitetit funksionale ajo veç së është e gatshme të transformohet”.

“Mirëpo duhet ditur se me miratimin e pakos së ligjeve kjo është vetëm faza fillestare e transformimit të saj pasi që do të ketë 3 faza gjegjësisht 10-vjet të transformimit në ngritje të kapaciteteve njerëzore edhe teknike edhe resurseve tjera të nevojshme të krijimit apo zgjerimit të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Jam mese i sigurt që pako e ligjeve për FSK-në do të miratohet dhe do të shkoj rrugës së vet zhvillimit apo tranzicionit 10 vjeçar”, ka deklaruar Ibishi.

 

 

 

 

Të ngjashme