Ish-zv.kryeministri Hoxhaj: Qeveria të marrë përgjegjësi për Asociacionin e Manastirin e Deçanit

Prishtinë | 11 Qer 2022 | 08:55 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, thotë se Qeveria nuk mund të ketë qëndrimet të ndryshme karshi dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe pronat e Manastirit të Deçanit.

Hoxhaj në një intervistë për Ekonomia Online, shprehet se qëndrimi i Qeverisë, respektivisht kryeministrit Albin Kurti për ta respektuar vendimin e Kushtuese për Asociacionin e mos ta respektuar atë për Manastirin është vetëm sjellje e tij politike dhe nuk përkon me interesat e qytetarëve.

Andaj ai shton se Qeveria duhet që të marrë përgjegjësi, por edhe forcat tjera politike në mënyrë që të jenë të përgjegjshme në raport me interesat e vendit.

“Qeveria e Kosovës dhe zotëri Kurti nuk mund të sillen politikisht që të pretendojnë se atë çfarë ka sjellë Gjykata Kushtetuese në raport me Asociacionin se a i takon shkeljes që ka pasur marrëveshja e prillit 2016 të thotë që ky vendim është valid do të thotë se e respektojmë institucionin e Gjykatës Kushtetuese dhe mos ta respektojnë Manastirin e Deçanit është jetike që Qeveria të marrë përgjegjësi dhe është jetike që forcat politike në Kosovë dhe PDK që të jetë e përgjegjshme në raport me interesin e vendit”.

Hoxhaj thotë se respektimi i vendimit në lidhje me pronat e Manastirit të Decanit nuk ndërlidhet me aplikim në Këshillin e Evropës.

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në Këshill është nevojë e qytetarëve, por edhe domosdoshmëri e shtetit të Kosovës.

“…vendimi që duhet të zbatohet sa i takon manastirit të Deçanit nuk mendoj që duhet të ndërlidhet me aplikim në Këshillin e Evropës. Se aplikimi në Këshill të Evropës është një proces tjetër paralel dhe ka të bëjë me rritjen e sovranitetit të Kosovës dhe nuk duhet të ketë politikë të ndërlidhjes së gjërave të cilat nuk do të duhej të ndërlidhen”.

“Jam i mendimit që anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës është një nevojë e brendshme e qytetare të Kosovës, por edhe domosdoshmëri e shtetit të Kosovës. Deri më tash ka qenë i pamundur aplikimi për shkak të kundërshtimit të madh rus dhe nuk mund të jetë Evropa unike në raport me Ukrainën dhe në raport me kundërshtimin e Rusisë me politikën e saj le të jetë kjo në raport me kërkesën për aplikim. Është e drejtë e jona dhe unë si nënkryetar i PDK kudo që kam shkuar i kam shërbyer vendit qe Kosova të anëtarësohet në Këshill të Evropës”, tha Hoxhaj.

Deputeti Hoxhaj tha se PDK e respekton marrëveshjen e Asociacionit sipas verdiktit që ka sjellë Gjykata Kushtetuese.

Ai theksoi se PDK-ja dhe subjekte tjera që kanë pasur rol në dialog nuk guxojnë të zmbrapsen prej rezultateve të këtij procesi, raporton EO.

“Se çfarë qëndrimi ka kryeministri Kurti është qëndrim i tij. Por ne si PDK duhet t’i mbrojmë dhe të qëndrojmë pas gjitha marrëveshjeve që i kemi arritur në Bruksel. Mendoj që PDK dhe subjekte tjera që kanë pasur rol në dialog nuk guxojnë të zmbrapsen prej rezultateve të dialogut”.

“Lufta në Ukrainë po tregon se sa jetike do ishte arritja e një marrëveshje me Serbinë, anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe jo mbajtja e Kosovës në një situatë të pafundësisë. Unë nuk flas në emër të Qeverisë duhet ta pyesni kryeministrin. PDK e respekton marrëveshjen e Asociacionit sipas verdiktit që ka sjellë Gjykata Kushtetuese”.

Të ngjashme