Jep dorëheqje asambleisti më i votuar i Vetëvendosjes

Prishtinë | 09 Sht 2022 | 19:45 | Nga Ekonomia Online

Listës së dorëheqjeve nga Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan i është bashkuar edhe asamblisti më i votuar në zgjedhjet e fundit, Fitim Mëziu.

Mëziu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se do të angazhohet si asamblist i pavarur.

“Ju njoftoj që nga sot unë nuk do të jem pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Kur qëllimi për të cilin je i angazhuar nuk është qëllim për të gjithë aty s’ke ardhmëri. Shëndeti dhe mirëqenia janë fusha për të cilat do të angazhohem si Asambleist i Pavarur nga votat e juaja qytetar të nderuar. Në zgjedhjet lokale ju bashkova ekipit të Lëvizjes Vetëvendosje duke besuar e shpresuar në një organizim të mirëfilltë brenda saj. Nga ato zgjedhje unë dola si kandidati më i votuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për Kuvendin Komunal”, ka thënë Mëziu.

Mëziu ka thënë se ka parë padrejtësi të mëdha që u bëheshin aktivistëve, teksa thotë se nuk ishte i pajtimit që brenda subjektit “të vinin figura politike që kanë luajtur me dy karta”.

“Me kalimin e kohës unë pashë padrejtësi të mëdha që u bëheshin aktivistëve me shume kontribut. Pashë e ndëgjova shumë gjëra që nuk do të besoja qe ekzistonin brenda këtij subjekti në Lipjan. Nuk isha i pajtimit që brenda këtij subjekti vinin figura politike që kanë luajtur me dy karta. Sidomos aderimi i fundit, ishte një figurë që ka gëzuar të gjitha privilegjet nga qeverisja lokale, dhe vetëm atëher kur nuk gjeti vend në ekzekutivin lokal të këtij mandati në Lipjan, erdhi në LVV dhe bëri pazare politike, ku ende pa kaluar 10 ditë nga aderimi, bashkëshorti i saj avancohet në burgun e Lipjanit”, tha ai.

Para Mëziut, edhe tre eksponentë të tjerë të kësaj partie kanë ofruar dorëheqjet e tyre në Lipjan.

Të ngjashme