Kandidatët për president të Serbisë shtyhen për Kosovën

Prishtinë | 17 Mar 2022 | 18:13 | Nga Ekonomia Online

Zdravko Ponosh, kandidat për president të Serbisë nga radhët e koalicionit “Të Bashkuar për Fitoren e Serbisë”, ka thënë se qeveria aktuale serbe “ka hequr dorë nga Kosova” dhe se ai “s’do ta bënte këtë kurrë”. Me këtë deklaratë, Ponos i është shtuar listës së kandidatëve që shtyhen për çështjen e Kosovës. Temë në fushatë është bërë se cili kandidat “ruan më shumë” apo “kthen territore të Serbisë”.

“Qeveria në ikje ka hequr dorë nga Kosova. Ata donin ta ndanin, por nuk ia dolën. Donin të hiqnin dorë nga e gjithë Kosova, duke e propozuar si dhuratë për kampanjën e Trumpit. Nuk ia dolën, por bënë dëm të madh. E tërhoqën shtetin e Serbisë nga Kosova, dhanë gjithçka dhe s’morën asgjë”, ka thënë Ponos të enjten, raporton “N1”.

Në fushatë ai ka premtuar se “s’do të heqë dorë kurrë nga Kosova”.

“Kosova është pjesë e Serbisë dhe do të mbetet ashtu”, u shpreh ai pasi u shpall si kandidat për të parin e shtetit serb.

Ditë më parë retorikë të ashpër për territore të shteteve të tjera pati edhe Misha Vaçiq, kryetar i partisë “E Djathta Serbe”. Si kandidat që dorëzoi nënshkrimet për kandidaturë, me një veturë të blinduar e me targa ruse, Vaçiq si lider i lëvizjes ekstreme ishte cilësuar nga kjo parti si “i vetmi kandidat që ka dalë me ideolologji të fortë patriotike që synon fuqizimin ekonomik dhe ushtarak të vendit në mënyrë që të krijohen kushte për rivendosjen e sovranitetit mbi territoret e okupuara serbe dhe bashkimin me vendet e tjera serbe”.

Pra, projekt i Vaçiqit, nëse vjen në pushtet, është bashkimi i vendeve ku jetojnë serbët, që do të prekte shumë shtete përreth Serbisë.

Në fakt, tash e një kohë është ringjallur ideja për Serbinë e madhe, por me një term tjetër “bota serbe”. Projekti është promovuar nga ministri në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin.

Edhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që është kandidat për tjetër mandat, vazhdon të ruajë qëndrimin kundër shtetit të Kosovës.

Të ngjashme