KDI: 23 komuna shënuan rritje të transparencës komunale

Prishtinë | 02 Gus 2022 | 11:53 | Nga Ekonomia Online

Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar Transparometrin Komunal, ku pasqyrohen të gjeturat e nivelit të transparencës së institucioneve lokale për 38 komunat e Kosovës për periudhën janar-qershor 2022.

Sipas të gjeturave, 23 komuna kanë shënuar rritje të transparencës komunale.

“Bazuar në të gjeturat gjatë kësaj periudhe, komunat me nivelin më të lartë në përmbushjen e indikatorëve vlerësues janë: komuna e Rahovecit me 83 pikë apo 94.32%, komuna e Gjakovës me 80 pikë apo 90.9%, komuna e Kamenicës dhe ajo e Mitrovicës së Jugut me nga 78 pikë apo 88.63%, komuna e Lipjanit, Pejës, Podujevës dhe Prishtinës me nga 77 pikë apo 87.5%, komuna e Drenasit, Kaçanikut si dhe Prizrenit me nga 76 pikë apo 86.36%. Në anën tjetër, komunat që kanë treguar nivel më të ultë në përpushjen e indikatorëve vlerësues janë: komuna e Zveçanit dhe Kllokotit me nga 45 pikë apo 51.13%, komuna e Fushë Kosovës, Novobërdës, Ranillugut, Parteshit si dhe Zubin Potokut me nga 44 pikë apo 50 %”, thuhet në njoftimin e KDI-së.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021, KDI-ja ka njoftuar se gjatë kësaj periudhe 23 komunave të cilat kanë shënuar rritje në përmbushjen e indikatorëve vlerësues, dy komuna janë me pikë të njëjtë në dy periudhat vlerësuese dhe 13 komuna kanë shënuar rënie në përmbushjen e transparencës komunale.

“Krahasuar me periudhën e njëjtë të vlerësimit nga viti paraprak, Komuna e Shtërpcës dhe ajo e Kamenicës mbetet ndër komunat të cila kanë shënuar rritje më të madhe në përmbushjen e indikatorëve vlerësues në transparencën komunale. Komuna e Shtërpcës nga 62 pikë ka shënuar rritje për 22 pikë derisa komuna e Kamenicës nga 62 pikë, ka shënuar rritje për 18 pikë gjatë periudhës së njëjtë të vlerësimit janar – qershor 2022”, thuhet në njoftim.

Në këto gjetje bëhet e ditur se komuna e Deçanit, ajo e Skenderajt, Fushë Kosovës, Hanit të Elezit, Klinës, Obiliqit dhe Vushtrrisë mbeten ndër komunat që kanë shënuar rënie më të madhe në përmbushjen e indikatorëve vlerësues në transparencën komunale.

Të ngjashme