Këshilltari i Presidentit pyet Kurtin: A kanë vlerë Rambujeja e Vjena që u nënshkruan nën presionin amerikan?

Prishtinë | 07 Mar 2020 | 18:25 | Nga Ekonomia Online

Artan Behrami, Këshilltar i Presidentit Thaçi, ka thënë se gjithë marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përgjithësisht në Ballkan janë të realizuara duke përdorur presionin, forcën dhe kërcënimin.

“Pjesëmarrësit në negociatat e Rambujesë për shembull flasin për “negociata torturuese dhe presion të madh psikologjik”, që ambasadori Richard Holbrooke dhe sekretarja Madeleine Albright kishin përdorur mbi shqiptarët dhe serbët. Pikërisht ai presion dhe ato kërcënime shporrën regjimin e Millosheviqit dhe Kosovës i sollën lirinë dhe çlirimin”, ka kujtuar Behrami.

Ai ka thënë se bazuar në teorinë e Kurtit asnjëra prej marrëveshjeve të arritura nën presion ku ka fituar Kosova s’kanë kurrfarë vlere.

“Gjatë negociatave për statusin e Kosovës, deri në shpalljen e pavarësisë, ka pasur kërcënime, presione dhe rezistencë për të pranuar pakon e Ahtisaarit, e cila e solli pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar ai.

Gjithë presioni mbi Kosovë dhe Serbi po e bën i deleguari special i Donald Trump, RIchard Grenell.

Zyrtari i Presidencës ka thënë se ka ngjashmëri ndërmjet Grenellit dhe Ruchard Holbroke, i cili kishte ndërmjetësuar dikur edhe në luftën Kosovë-Serbi.

“Atë që është duke e bërë sot ambasadori Grenell është pikërisht ajo që e kishte bërë edhe Holbrooke më 1999 në Rambuje. As më pak dhe as më shumë, vetëm koha, konteksti dhe gjeopolitika janë më ndryshe. Mjetet janë të njëjta! Atë që po dëshiron të bëjë presidenti Trump është pikërisht e njëjtë me atë që bëri Clinton më 1999 dhe Bush më 2007”, ka shkruar Behrami.

Sipas ish-gazetarit tash konteksti politik ka ndryshuar në Kosovë. Liderët aktualë s’po i besojnë Amerikës.

“Por, ajo çfarë ka ndryshuar është që disa nga liderët e tashëm të Kosovës nuk e kanë guximin e liderëve të atëhershëm për t’ia besuar këtë proces Amerikës, që rezultatet tashmë janë të dëshmuara në dy dekadat e fundit!”, ka shtuar ai.

Donald Trump po kërkon një marrëveshje të shpejt ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vitin e kaluar kishte kërkuar që marrëveshje të ishte e pranueshme për të dy palët.

Mirëpo, bisedimet ende s’kanë rifilluar pasi Kosova ende vazhdon ta mbajë në fuqi taksën ndaj produkteve serbe e boshnjake.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme