Kjo është kërkesa e VV-së dërguar në Gjykatën Kushtetuese

Prishtinë | 01 Maj 2020 | 11:17 | Nga Ekonomia Online

30 deputetë të grupit parlamentar, Lëvizja Vetëvendosje janë drejtuar dje me një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, për interpretim të dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit për Avdullah Hotin, si mandatar për krijimin e qeverisë së re.

29 deputetë të Vetëvendosjes dhe deputeti nga pakicat, Elbert Krasniqi që bën pjesë në grupin parlamentar të LVV’së, janë drejtuar me një kërkesë në Kushtetuese, për interpretim të vendimit të presidentit, për dekretim të kandidatit të LDK’së për mandatar.

Sipas Vetëvendosjes, me këtë veprim presidenti ka bërë shkelje të disa neneve të Kushtetutës.

Ata kanë përmendur nenin 84, paragrafi 4, 82 paragrafi 2, neni 4 paragrafi 1, neni 84.14 dhe nenin 95 që flet për zgjedhjen e qeverisë së re.

Nga Vetëvendosje e kanë argumentuar këtë duke përmendur letrat që presidenti Hashim Thaçi i ka dërguar kreut të LVV’së, Albin Kurtit si lideri i partisë së parë të dalë nga zgjedhjet e gjashtë tetorit.

Në këtë kërkesë si reference është marrë Kushtetuta e Kroacisë, e Sllovenisë, e Gjermanisë, Greqisë, Serbisë dhe Shqipërisë.

Partia që udhëhiqet nga Albin Kurti ka kërkuar nga Kushtetuesja që të vendosë masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentit, pasi që kjo çështje është objekt shqyrtimi në procedurë.

Lëvizja Vetëvendosje e ka dorëzuar dje këtë kërkesë në Gjykatë Kushtetuese pasi që ky institucion e kishte përfunduar punën, kjo me faktin se edhe dekreti i presidentit për mandatarin është bërë publik pas orës 16:00.

Merret vesh se Kushtetuesja është duke e trajtuar me prioritet të lartë këtë cështje, derisa sot gjatë ditës mund të vendoset për caktimin ose jo të masës së përkohshme ndaj dekretit të Thacit.

Të ngjashme