KMDLNJ reagon pas dështimit të Kosovës për anëtarësim në Interpol

Prishtinë | 21 Nën 2018 | 13:03 | Nga Ekonomia Online

Më 20 Nëntor 2018 , në Abu Dabi nuk kaloi kërkesa e Kosovës të bëhet anëtare e INTERPOL-it përkundër angazhimit dhe ftesës që ua bënë SHBA dhe vendet përkrahëse shteteve anëtare që të votojnë në favor të anëtarësimit. Për KMDLNj është zhgënjyes fakti se në raundin e parë pro Kosovës votuan 75 shtete kurse në raundin e dytë vetëm 68 e që qartazi tregon ndikimin politik në vendimmarrje.

Realisht , Policia e Kosovës , në aspektin profesional dhe operativ nuk qëndron më keq se policitë e vendeve të rajonit përkundrazi , ndonëse e re në moshë ( koha kur vepron ), është para shumë policive të vendeve të rajonit e që është dëshmi se refuzimi për anëtarësim është bërë për motive dhe qëllime politike . Po të njëjtën ditë u pranuan në INTERPOL shtete miniaturale e për të cilat nuk kanë dëgjuar 99 % e opinionit dhe të cilat e kanë kapacitetin policorë sa një stacion policor në Kosovë , i një qyteti të madh . Nuk është hera e parë që Kosova aplikon për anëtarësim në INTERPOL e nuk është hera e parë që refuzohet.

Reagimet e para , sidomos të opozitës kanë qenë linçuese duke kërkuar koka të atyre që më së paku kanë ndikim për anëtarësim dhe të cilët kanë qenë jetësisht të interesuar të ndodhë anëtarësimi , në mos tjetër për asgjë , do ta materializonin politikisht këtë anëtarësim sikur që opozita po bënë përpjekje ta materializojë politikisht këtë refuzim. Të gjithë jemi dëshmitarë që herën e parë kur është refuzuar kërkesa e Kosovës për anëtarësim , LDK që tash pamëshirshëm po e kritikon pozitën , vet ishte pozitë apo partnere e koalicionit të atëhershëm dhe pas , nuk kërkonte përgjegjësi për dështimin e atëhershëm. LVV , nuk ishte pjesë e koalicionit prandaj e ka një të drejtë opozitare të kërkojë përgjegjësi konstruktive ndonëse , për interese shtetërore dhe kombëtare nuk do të duhej të kishte fare dallim midis pozitës dhe opozitës.

Anëtarësimi në INTERPOL ishte dhe mbeti interes shtetërorë dhe kombëtar prandaj ashtu duhet të trajtohet nga të gjithë ; pozitë , opozitë , shoqëri civile apo komunitete tjera. Reagimi euforik i një pjese të opozitës për refuzim të anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL si dhe parashikimi se nuk do të ketë liberalizim të vizave e që po përdoret si armë e opozitës i ngjanë thënies popullore : “ Për inati të resë , më vdektë djali …”. Aktualisht duket se nuk ka hapësirë për bashkëpunim midis pozitës dhe opozitës e që shumë po i dëmton qytetarët e Kosovës në këtë luftë të pandershme dhe ekskluzivisht për pushtet , nga të dyja palët.

LDK , si kërkuesja më e madhe për zgjedhje të reja nuk mund të amnistohet nga përgjegjësia shumë konkrete , si për dështim të anëtarësimit në INTERPOL , ashtu edhe për mosliberalizim eventual të vizave për faktin se ka udhëhequr me qeverinë në mandatin paraprak dhe se ka nënshkruar marrëveshje të dëmshme për Kosovën dhe qytetarët e saj. Kundërshtimi i LDK për rolin e presidentit Thaçi në bisedime është sikur ta ngrini ( ta bëni akull ) ujin në shretëtirën e Saharasë shkaku se votat e LDK –së kanë qenë përcaktuese që Thaçi të zgjidhet president përmes dhënies së votës për të, sikur edhe sigurimit të kuorumit si dhe duke e votuar mandatin e Thaçit në këto bisedime të cilat , tani po i kundërshton . Refuzimi i anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL si dhe refuzimi eventual i liberalizimit të vizave është puro politik dhe po përdoret të kushtëzohet Kosova për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë ku , deri më tani , Serbia ka qenë përfituese absolute kurse Kosova , humbëse absolute.

Nuk ka vend në rajon që ka përfituar më pak se Kosova ndonëse ka qenë shumë bashkëpunuese , pa kurriz fare. Nuk ka vend në rajon që ka pësuar aq shumë se Kosova ndonëse në shumë aspekte dhe fusha qëndrojnë më keq se Kosova. Kosova është i vetmi vend në rajon dhe ndoshta edhe më gjerë që është kushtëzuar me Demarkacion , për liberalizim të vizave .

Ky është shembull ordinerë i zbatimit të standardeve të dyfishta dhe trajtim diskriminuse nga ana e BE –së ndaj qytetarëve të Kosovës . Në aspektin profesional nuk ka dyshim se Kosova i ka plotësuar kushtet për anëtarësim në INTERPOL sikur që edhe i ka plotësuar kriteret teknike për liberalizim të vizave ( nëse i referohemi vendeve përfituese të rajonit ) por se , pa e plotësuar kriterin politik , nuk do të ketë përparim e që është e padrejtë. Nëse e bëjmë një krahasim me vendet e rajonit e që kanë përfituar , del se Kosova ka më së shumti të arrestuar dhe të dënuar për krime lufte ndonëse raporti i pësimeve është shumë në disfavor të Kosovës.

Merrni statistikat zyrtare se sa bartës të posteve të larta publike dhe politike janë arrestuar dhe dënuar , që nga përfundimi i luftës e deri më sot në Kosovë dhe ato i krahasoni me të dhënat e Serbisë , Shqipërisë , Malit të Zi , Maqedonisë , Bosnjës , Kroacisë dhe Sllovenisë , atëherë do ta keni një pasqyrë të qartë për zbatim të standardeve të dyfishta nga BE dhe trajtim degradues dhe diskriminues.
Edhe pozita , si dhe opozita , duhet ta kenë të qartë se problemet i kemi me Serbinë , pushteti i të cilit nuk dallon fare , përballë Kosovës , me pushtetin e kriminelit Millosheviq që la pas vetes nxënësit e bindur sikur që janë : Vuçiqi , Daçiqi , Vulini , Shesheli , Dikoviqi , Mlladiqi dhe kriminelët e tjerë. Serbia sot është strehuesja dhe mbrojtësi më i madh i kriminelëve të luftës dhe krimit të organizuar që e gëzojnë mbrojtjen institucionele dhe shtetërore . Serbia sot i strehon 23 të arrestuar , të dyshuar për krime lufte e të cilët janë “ arratisur “ , me vullnet dhe bashkëpunim të UNMIK-ut nga burgu në Mitrovicë dhe të cilët nuk janë ekstraduar e që askush nga ndërkombëtarët nuk e ka kërkuar ekstradimin e tyre.

Serbia e ka okupuar 1/3 e territorit të Kosovës kurse ndërkombëtarët nuk e lejojnë shtrirjen e sovranitetit të Kosovës si dhe mbrojtjen e integritetit territorial sikur që e kanë bërë kategori kushtetuese një mekanizëm bllokues ( Lista Srbska ) e që nuk është vepruar kështu me vendet e rajonit. Serbia , në njërën anë po takohet me Kosovën për normalizim të marëdhënieve kurse në anën tjetër nuk lë gur pa lëvizur për ta destabilizuar dhe dëmtuar Kosovën e që ndërkombëtarët e heshtin këtë kurse , për vënie të taksës prej 10% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja ( e që KMDLNj e konsideron veprim simbolik që më shumë po i shkakton probleme Kosovës sesa që po përfiton ) po këta ndërkombëtarë po e kundërshtojnë deri në kup të qiellit !

Pas këtyre përpjekjeve të pareshtura të Serbisë për ta shkatërruar Kosovën e që nuk po kundërshtohet nga ndërkombëtarët , Kosova nuk duhet të bisedojë me Serbinë pa e pasur një ofertë të qartë nga BE , si në planin e përfitimit ashtu edhe në afatizimin e këtyre bisedimeve dhe përfitimeve . Kosova duhet të bojkotojë krejtësisht mallrat nga këto shtete që kanë dhe zbatojnë një qëndrim dhe politikë armiqësore sikur që duhet t’i bojkotojnë bizneset kosovare që e luajnë sot rolin e odave ekonomike të Serbisë në Kosovë , duke e forcuar ekonomikisht dhe politikisht Serbinë në Kosovë . Qytetarët e Kosovës duhet masovikisht t’i bojkotojnë këto mallra derisa Serbia të sillet sikur vendet e tjera normale. Kosova duhet të zbatojë 100 % reciprocitetin me Serbinë dhe Bosnjen sikur që e zbatojnë të gjitha vendet e botës në rast se kjo masë është në interes të shtetit. Në këto rrethana , Kosova nuk ka pse të bisedojë me Serbinë, sepse , në këtë mënyrë po e dëmton Kosovën dhe qytetarët e saj.

Presidenti i Kosovës , sipas Kushtetutes , ka mandat përfaqësimi por jo edhe negocimi të marrëveshjeve të dëmshme dhe të mbuluar me një tis mjegulle i cili hiqet vetëm pasi të nënshkruhet marrëveshja dhe e cila , si detyrim ndërkombëtar nuk mund të zhbëhet sado e dëmshme të jetë. Kosova duhet ta ketë një Ekip Negociator e cili do të duhej të udhëhiqej nga opozita , do të votohej në Kuvend dhe do t’i përgjigjej Kuvendit , si autoritetit suprem të një Republike Parlamentare .

Vetëm pasi të formohej një Ekip Negociator multidisiplinar i cili do të kishte një shtyllë kurrizore tjetër negociuese , në një konsultim të gjerë të spektrit politik do të caktohej një datë dhe kohë e përshtatshme për zgjedhje të parakohshme . Kështu , si po veprohet , po humbim të gjithë dhe se kemi hyrë në një tunel ku nuk shihet as edhe një shkëndijë drite e lëre më një dalje .

Pa një ofertë konkrete dhe afatizim të bisedimeve , nuk kanë fare kuptim bisedimet , pavarësisht nga kush udhëhiqen! Pa një transparencë dhe llogaridhënie për ecurinë dhe përmbajtjen e bisedimeve nuk do të ketë qetësi në Kosovë dhe as në rajon. Kompetencat janë të ndara dhe ato duhet të respektohen dhe zbatohen. Askush nuk është mbi Kushtetutën dhe askush nuk mund të marrë vendime në dëm të vendit dhe qytetarëve të Kosovës. Dhe , përfundimisht , për të pasur zgjedhje që ofrojnë ndryshime fillimisht duhet të funksionalizohet KQZ sikur që duhet të bëhet Reforma Zgjedhore , në të kundërtën do të kemi një përsëritje që nuk e ndryshon rezultatin përveçse eventualisht mund të ndërrohen lojëtarët !

Çfarë kuptim kanë të drejtat e njeriut kur e keni të kufizuar lirinë e lëvizjes , si kusht kyresorë për realizimin e të drejtave të tjera e që garantohen me të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare për të drejtat e njeriut në kohën kur qytetarët e Kosovës konsiderohen si qytetarë të rendit të dytë dhe të cilëve u shkilen në mënyrë flagrante këto të drejta pikërisht nga ata që i promovojnë të drejtat e njeriut , si vlerë dhe themel i një demokracie e që në Kosovë mungon ose është e përjashtuar

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme